CIA i përcolli me muaj lëvizjet e liderit të Iranit: Si u planifikua vrasja e Ayatollah Khamenei?
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u vra në një sulm të befasishëm gjatë ditës, të kryer nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, pas muajsh ndjekjeje të lëvizjeve të udhëheqësve iranianë nga C.I.A.
Media shtetërore iraniane raportoi se 86-vjeçari u vra të shtunën në një sulm ajror që kishte në shënjestër kompleksin e tij në qendër të Teheranit.
C.I.A. kishte ndjekur Ajatollah Khamenein për muaj me radhë përpara se të mësonte se një takim i zyrtarëve të lartë iranianë do të mbahej të shtunën në mëngjes dhe se udhëheqësi suprem do të ishte i pranishëm, thanë burime për The New York Times.
Takimi krijoi një mundësi dhe detyroi SHBA-në dhe Izraelin të rregullonin kohën e sulmit të tyre për të eliminuar zyrtarët e lartë iranianë dhe për të vrarë Ajatollah Khamenein.
SHBA-ja dhe Izraeli bashkërenduan ngushtë për ta kryer këtë sulm, me CIA.-n që i kaloi Izraelit informacionin e inteligjencës për vendndodhjen e Khameneit, sipas raportimeve të prestigjiozes amerikane.
Izraeli, i cili kreu sulmet ndaj udhëheqësve të lartë iranianë duke përdorur inteligjencën amerikane dhe të vetën, përcaktoi se në mbledhje do të merrnin pjesë zyrtarë të lartë të mbrojtjes iraniane, përfshirë Mohammad Pakpour, komandantin e përgjithshëm të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike; Aziz Nasirzadeh, ministrin e mbrojtjes; Admiralin Ali Shamkhani, kreun e Këshillit Ushtarak; Seyyed Majid Mousavi, komandantin e Forcës Ajrore Hapësinore të Gardës Revolucionare; Mohammad Shirazi, zëvendësministrin e inteligjencës; mes të tjerëve, sipas New York Times.
Avionët luftarakë u ngritën nga bazat izraelite rreth orës 6 të mëngjesit. Sulmi thuhet se përfshinte avionë të armatosur me municione me rreze të gjatë dhe me saktësi të lartë.
Raketat me rreze të gjatë goditën kompleksin në Teheran rreth dy orë e pesë minuta më vonë. Në momentin e sulmit, zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare iraniane ndodheshin në një ndërtesë brenda kompleksit, ndërsa Ajatollah Khamenei ishte në një ndërtesë tjetër aty pranë.
Avionët izraelitë hodhën 30 bomba mbi kompleksin e Khameneit, duke e lënë atë të djegur, sipas The Wall Street Journal.
“Sulmi i kësaj mëngjesi u krye njëkohësisht në disa vende në Teheran, në njërin prej të cilave ishin mbledhur figura të larta të elitës politike dhe të sigurisë së Iranit,” shkroi një zyrtar izraelit i mbrojtjes.
Persona të informuar për operacionin i thanë New York Times se ai ishte rezultat i inteligjencës së mirë dhe muajve përgatitjeje.
SHBA-ja dhe Izraeli kishin ndërtuar një listë të gjerë objektivash, që përfshinte nga vendndodhjet e raketave tokë-ajër deri te ndërtesat e komandës dhe kontrollit të Gardës Revolucionare Islamike, sipas The Washington Post.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se operacioni përfshinte më shumë se 200 avionë izraelitë, të cilët hodhën qindra municione mbi më shumë se 500 objektiva. SHBA-ja nuk ka dhënë detaje mbi sa avionë të saj u përdorën ose sa objektiva u goditën prej tyre.
“Ky operacion vendimtar do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe kërkon durim,” tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Që nga fillimi i sulmeve të përbashkëta ushtarake SHBA-Izrael të shtunën në mëngjes, Irani ka lëshuar qindra raketa hakmarrëse ndaj objektivave amerikane dhe izraelite në rajon.
Presidenti Donald Trump paralajmëroi se SHBA-ja do ta godasë Iranin “me një forcë që nuk është parë kurrë më parë” nëse ai hakmerret pas vdekjes së udhëheqësit të tyre suprem.
Të dielën, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha Associated Press se “udhëheqja e re e mundshme” në Iran ka sugjeruar se është e hapur për bisedime me SHBA-në.
Zyrtari tha se Trump “përfundimisht” do të jetë i gatshëm të bisedojë, por për momentin operacioni ushtarak “vazhdon pa ndërprerje.”
Ushtria amerikane tha të dielën se tre pjesëtarë të saj u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën rëndë në operacion.