Çfarë po ndodh në Afrikë: Pas Nigerit, shpallet puç ushtarak edhe në Gabon
Disa oficerë ushtarakë dolën në televizionin kombëtar të Gabonit, shtet afrikan, duke thënë se e kanë marrë pushtetin.
Ata thanë se do t’i anulonin rezultatet e zgjedhjeve të së shtunës, në të cilat presidenti Ali Bongo ishte shpallur fitues, raporton televizioni BBC.
Komisioni zgjedhor tha se Bongoja kishte fituar pak më pak se dy të tretat e votave në zgjedhjet për të cilat opozita ka thënë se janë karakterizuar nga parregullsi.
Rrëzimi i presidentit do t’i jepte fund qëndrimit 53-vjeçar të familjes së tij në pushtet.
Dymbëdhjetë ushtarë dolën në televizion të mërkurën, duke njoftuar se do t’i anulonin rezultatet e zgjedhjeve dhe se do t’i shpërbënin “të gjitha institucionet e republikës”.
Ata thanë, gjithashtu, se kufijtë e vendit janë mbyllur “deri në njoftimin e radhës”.
Njëri nga ushtarët në kanalin televiziv “Gabon 24” tha: “Ne kemi vendosur që ta mbrojmë paqen duke i dhënë fund regjimit të tanishëm”. Sipas tij, kjo po ndodh për shkak të “qeverisjes së papërgjegjshme dhe të paparashikueshme, që ka rezultuar në përkeqësim të vazhdueshëm të kohezionit social, që paraqet rrezik për ta çuar vendin në kaos”.
Gazetarë të agjencive “Reuters” dhe AFP raportuan se zhurma të të shtënave të forta mund të dëgjoheshin në kryeqytetin e vendit, Libreville, pas paraqitjes së oficerëve ushtarakë në televizion.
Nuk pati reagim të menjëhershëm nga zyrtarët qeveritar ndaj njoftimit të ushtarëve. Si në zgjedhjet e kaluara në Gabon, edhe për garën e së shtunës kishte shqetësim serioz për mbarëvajtjen e procesit.
Kandidati kryesor i opozitës, Albert Ondo Ossa, është ankuar se në shumë qendra të votimit kishte mungesë të fletëvotimeve me emrin e tij në to, ndërsa koalicioni që ai e përfaqëson ka thënë se emrat e disa kandidatëve që ishin tërhequr nga gara ende ndodheshin në fletën e votimit.
Presidenti Bongo kishte ardhur në pushtet pas vdekjes së babait të tij, Omar, më 2009. Më 2018, ai pësoi sulm në tru, duke e lënë larg detyrës për gati një vit dhe duke çuar në thirrje për largimin e tij nga politika.
Më 2019, disa ushtarë organizuan një puç që dështoi dhe ata përfunduan në burg.
