Çfarë janë armët me këmbëz binare, që po e shqetësojnë policinë amerikane?
Ulur në një parking veturash me një arsenal armësh e municioni, burri që shtiu në drejtim të policëve në Dakotën Veriore të ShBA-së më herët këtë muaj vendosi që të përdorte një armë që e kishte në veturë dhe që ishte e modifikuar me këmbëz binare. Ky modifikim ndikoi që shkrepjet të ishin aq të shpejta, saqë pushka tingëllonte si armë automatike.
Të shtënat e 14 korrikut në Fargo, nga të cilat u vra një polic dhe u plagosën dy të tjerë e një civil, i kanë dhënë vëmendje kësaj pjese të modifikuar të armëve dhe modifikimeve të tjera që po bëhen shqetësim në rritje për autoritetet e rendit, raporton agjencia “Associated Press”.
Prokurori i Përgjithshëm i Dakotës Veriore, Drew Wrigley, tha të premten se beson që dhuna e asaj dite do të mund të ishte fillimi i një sulmi më të madh, sepse gjatë asaj kohe po mbaheshin dy organizime.
Çfarë është këmbëza binare?
Këmbëza binare është modifikim që e bën armën të shkrepë një plumb, kur këmbëza tërhiqet, dhe një plumb tjetër, kur këmbëza lëshohet. Në thelb, ky modifikim e dyfishon kapacitetin e qitjes, sipas ekspertëve të armëve të zjarrit dhe prodhuesve të armëve.
Ky modifikim është relativisht jo i shtrenjtë, sepse kushton disa qindra dollarë, varësisht nga modeli i armës. Modifikimi është, gjithashtu, teknologji relativisht e re, e nsiur së pari më 2015, pjesërisht si kundërpërgjigje ndaj rregullatorëve federalë, të cilët kërkonin që të zgjerohej fusha e ndalimit të modifikimeve që krijojnë armë automatike.
A është e ligjshme këmbëza binare?
Këmbëza binare është e ligjshme në shumicën e shteteve të ShBA-së, por edhe në nivel federal. Në rregulloret federale ende nuk mbulohet shitja e armëve të modifikuara me këmbëz binare, thotë Robert Spitzer, profesor në Shkollën e Drejtësisë të Kolegjit “William & Mary”, hulumtimet e të cilit janë të përqendruara në politikat për armët.
“Është çështje e tejkalimit të rregulloreve nga teknologjia, gjë që nuk është e re”- tha ai.
Disa shtete e ndalojnë blerjen e këmbëzave binare në mënyrë specifike ose modifikimet si këmbëza binare në përgjithësi. Në uebfaqet e prodhuesve të armëve theksohet se ato nuk mund t’u shiten civilëve në 12 shtete, përfshirë Kaliforninë, Nju Jorkun dhe Floridën.