Çfarë është sistemi amerikan HIMARS që Rusia e fajësoi për vrasjen e dhjetëra ushtarëve? - NACIONALE

Çfarë është sistemi amerikan HIMARS që Rusia e fajësoi për vrasjen e dhjetëra ushtarëve?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia ka thënë se 63 ushtarë rusë janë vrarë nga një sulm me raketa të sistemit HIMARS nga forcat ukrainase. Ukraina ka pretenduar se janë vrarë deri në 400 ushtarë. Por çfarë është sistemi raketor amerikan, HIMARS?

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se forcat ukrainase kanë hedhur gjashtë raketa duke e përdorur sistemin raketor amerikan, “Himars”, në një ndërtesë ku ndodheshin trupat ruse. Kjo ministri tha se dy prej raketave janë penguar.

HIMARS-i është sistem raketor me raketahedhës të zhvilluar në fundin e viteve nëntëdhjetë, i vendosur në kamion 5-tonësh, nga i cili mund të hidhen të gjitha raketat. Ky sistem mund të transportohet përmes aeroplanëve “Airbus A400M Atlas” dhe “Lockheed C-130 Hercules”.

Sistemi është në shërbim nga viti 2010 dhe është përdorur në luftën në Afganistan, në luftën civile të Sirisë, në luftën civile të irakut dhe së fundi nga forcat ukrainase kundër ushtrisë ruse. Prodhohet nga prodhuesi amerikan, “Lockheed Martin”.

Një raketahedhës i këtij lloji, bashkë me kamionin, kushton 3,5 milionë dollarë, ndërsa një raketë M31 GMLRS kushton 110 mijë dollarë. Raportohet për mbi 540 njësi të prodhuara.

Një njësi peshon 16 mijë e 250 kilogramë, është e gjatë shtatë metra, e gjerë 2,4 metra dhe e lartë 3,2 metra. Rrezja e veprimit dallon në bazë të llojit të raketave, nga 9 kilometra për raketat MLRS deri në 499 kilometra, largësi e planifikuar me raketat PrSM, që janë duke u zhvilluar.

Ndërkohë në Rusi është krijuar zemërim pas vrasjes së shumë ushtarëve rusë. Disa nacionalistë dhe ligjvënës kanë kërkuar dënim për komandantët që i akuzuan për shpërfilljen e rreziqeve.

Sulmi ndodhi natën e Vitit të Ri dhe shkaktoi shpërthim të fuqishëm, i cili i shkatërroi barakat në një shkollë profesionale në Makivka, qytet binjak i kryeqytetit rajonal të rajonit të pushtuar, Donetsk, në lindje të Ukrainës.

Kritikët rusë kanë thënë se ushtarët po qëndronin pranë mbeturinave të municionit në atë vend. Ministria ruse tha se objekti është goditur nga katër raketa të sistemit raketor amerikan, HIMARS.

Sulmi ndaj ushtarëve rusë ndodhi përderisa Rusia po kryen vazhdimisht sulme me dronë në Kiev dhe në qytete të tjera ukrainase. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e zakonshëm të mbrëmjes se qëllimi i këtyre sulmeve është që “të rraskapiten populli ynë, mbrojtja jonë kundërajrore, energjia jonë”.

Në tetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, i premtoi Ukrainës pako të re të sigurisë me vlerë të 625 milionë dollarëve, duke e nxitur Moskën që të paralajmëronte se një veprim i tillë përbënte rrezik për përleshje të drejtpërdrejtë ushtarake mes Rusisë dhe Perëndimit.

Lajme të ngjashme