Çfarë është NATO dhe si i është përgjigjur pushtimit rus? - NACIONALE

Çfarë është NATO dhe si i është përgjigjur pushtimit rus?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Aleanca ushtarake e NATO-s mund të zgjerohet së shpejti me Finlandën dhe Suedinë që pritet të aplikojnë për anëtarësim.

Pas pushtimit të Rusisë, vendet e NATO-s po e furnizojnë Ukrainën me armë, municion dhe pajisje të tjera ushtarake.

Çfarë është NATO?

NATO - Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, është një aleancë ushtarake e formuar në vitin 1949 nga 12 vende, duke përfshirë ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Francën.

Anëtarët e aleancës kanë rënë dakord t'i vijnë në ndihmë njëri-tjetrit në rast të një sulmi të armatosur kundër çdo shteti anëtar.

Qëllimi i NATO-s fillimisht ishte të kundërshtonte kërcënimin e zgjerimit rus në Evropën e pasluftës, ndërsa Rusia Sovjetike iu përgjigj NATO-s duke krijuar aleancën e saj ushtarake të vendeve komuniste të Evropës Lindore, të quajtur Pakti i Varshavës.

Por, pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991, një numër i vendeve të ish-Traktatit të Varshavës iu bashkuan NATO-s.

A mund të bashkohen Suedia dhe Finlanda në NATO?

Zyrtarët amerikanë presin që Suedia dhe Finlanda të konkurrojnë për anëtarësim që në muajin qershor. Nëse këto vende anëtarësohen, aleanca e NATO-s do të bëhet me 32 anëtarë.

Rusia ka paralajmëruar të dy vendet kundër anëtarësimit. Megjithatë, zyrtarët e mbrojtjes amerikane thanë se pushtimi i Ukrainës nga Moska ka qenë një "gabim masiv strategjik" që ka të ngjarë të sjellë zgjerimin e NATO-s.

Pse NATO nuk po dërgon trupa në Ukrainë?

Për shkak se Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, aleanca nuk është e detyruar që të dalë në mbrojtje të vendit dhe vendet e NATO-s kanë frikë se nëse trupat e tyre përballen me forcat ruse në Ukrainë, kjo mund të çojë në një konflikt të gjithanshëm midis Rusisë dhe Perëndimit.

NATO thotë se anëtarët e saj janë "të vendosur të bëjnë gjithçka munden për të mbështetur Ukrainën", por duhet të sigurohen që lufta të mos përshkallëzohet përtej kufijve të Ukrainës.

Kjo është arsyeja pse NATO refuzoi vendosjen e një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

Megjithatë, ajo ka miratuar dërgimin e katër grupeve të reja në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani - tre prej të cilave kufizohen me Ukrainën, duke dyfishuar kështu praninë e NATO-s në rajon.

Pse Rusia është kundër NATO-s?

NATO i ofroi Ukrainës një rrugë drejt anëtarësimit në vitin 2008. E pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Ukraina e bëri anëtarësimin si prioritet.

Por kjo ende nuk ka ndodhur, kryesisht për shkak të kundërshtimit të gjatë të Rusisë.

Një nga kërkesat e Rusisë përpara pushtimit ishte që Ukraina të mos lejohej kurrë të bashkohej me NATO-n, diçka që kjo e fundit refuzoi ta pranonte.

Rusia ka frikë se NATO po cenon zonën e saj të ndikimit politik duke marrë anëtarë të rinj nga Evropa Lindore dhe se anëtarësimi i Ukrainës do ta sillte NATO-n në oborrin e saj.

Presidenti i Ukrainës Zelensky ka pranuar se vendi i tij nuk mund të anëtarësohet në NATO për momentin, duke thënë: "Është e qartë se Ukraina nuk është anëtare e NATO-s. Ne e kuptojmë këtë."

Në kundërshtim të zgjerimit të NATO-s, Rusisë i është bashkuar edhe Kina.

Cilat armë janë dërguar nga Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera në Ukrainë?

Fillimisht, vendet e NATO-s kufizuan furnizimet e tyre në armë mbrojtëse - të tilla si raketa dhe municione kundër tankeve ose anti-ajrore të dorës.

Por tani, disa shtete anëtare po e furnizojnë Ukrainën me pajisje më të sofistikuara, për t'i mundësuar ushtrisë së Ukrainës të fitojë kundër ushtrisë ruse.

Sllovakia ka dërguar sistemin e saj të mbrojtjes kundër avionëve S-300, sistem që mund të sulmojë aeroplanët deri në 400 km larg.

Republika Çeke ka dërguar tanke T72 dhe transportues të blinduar të këmbësorisë.

Britania e Madhe dhe Australia po dërgojnë automjete të blinduara.

Gjermania po shqyrton dërgimin e tankeve dhe mjeteve të tjera të blinduara, por nuk ka marrë ende një vendim.

Përpara një takimi të fundit të NATO-s në Bruksel, Mbretëria e Bashkuar tha se do të sigurojë 6,000 raketa të reja mbrojtëse dhe 25 milion funte për të ndihmuar Ukrainën të paguajë forcat e saj të armatosura.

Mbretëria e Bashkuar tashmë e ka furnizuar vendin me mbi 4000 raketa antitank NLAW të montuara në shpatull dhe disa raketa Starstreak. Ajo ka dhënë edhe parzmore, helmeta dhe çizme.

Përveç kësaj, Mbretëria e Bashkuar ka vendosur Sky Sabre, një sistem mbrojtjeje ajrore me rreze të gjatë në Poloni, së bashku me 100 personel ushtarak për ta operuar atë.

ShBA fillimisht dërgoi 200 milionë dollarë dhe më pas 350 milionë dollarë të tjera armë. Këtu përfshiheshin raketat Javelin, raketat anti-ajrore Stinger dhe parzmore.

Që atëherë, ShBA ka njoftuar edhe për një paketë ndihme sigurie prej 1 miliard dollarësh, në të cilën përfshihen armë më të sofistikuara me rreze më të gjatë si p.sh. dronët antitank Switchblade.

BE-ja ka thënë se do të shpenzojë deri në 450 milion euro për të financuar furnizimin me armë në Ukrainë. Është hera e parë në historinë e saj që BE-ja ka ndihmuar në sigurimin e armëve për një zonë lufte.

Holanda, Belgjika, Polonia, Estonia, Letonia dhe Sllovakia janë ndër vendet që gjithashtu po dërgojnë në Ukrainë pajisje ushtarake, duke përfshirë municion, karburant dhe racione.

Sa trupa ka NATO në Evropën Lindore?

Edhe përpara se të bien dakord për dislokimet e fundit, NATO kishte tashmë trupa që shtriheshin nga veriu në republikat baltike e deri në jug të Rumanisë.

Trupat e NATO-s u vendosën në këto vende në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe janë projektuar për të vepruar si një "tripwire" në rast të një sulmi rus.

Ndërsa tani, NATO ka dërguar 40,000 trupa të Forcës së saj të Reagimit në vendet e Evropës Lindore në kufi me Rusinë dhe Ukrainën. Ka në gatishmëri të lartë 100 avionë luftarakë dhe 120 anije, duke përfshirë tre grupe transportuesish, që patrullojnë detet nga veriu i largët deri në Mesdheun lindor.

BBC shkruan se edhe ShBA-ja është zotuar të dërgojë më shumë trupa në Evropë - duke iu bashkuar katër grupeve luftarake shumëkombëshe ekzistuese që NATO ka në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni, si dhe brigadën e saj shumëkombëshe në Rumani.

Lajme të ngjashme