Çfarë biseduan në telefon kryediplomatët e ShBA-së e Rusisë?
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, të premten zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe kërkoi nga Kremlini që ta pranojë “propozimin e konsiderueshëm”, që Uashingtoni e ka paraqitur për ta siguruar lirimin e dy amerikanëve të ndaluar në Rusi.
Në bisedën e tyre të parë të drejtpërdrejtë që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, dy kryediplomatët u munduan që të qëndrojnë në pozicionet e tyre ekzistuese, sipas njoftimeve nga të dyja palët.
“Ne patëm një bisedë të sinqertë e të drejtpërdrejtë. Kërkova nga Kremlini që ta pranojë propozimin e konsiderueshëm që ne e kemi paraqitur për lirimin e Paul Ëhelan-it dhe Brittney Griner-it”, tha ai.
Sipas një burimi, Rusia u mundua që ta shtojë vrasësin e dënuar, Vadim Krasikov, në listën e personave për shkëmbim. Zyrtarët amerikanë nuk e shqyrtuan seriozisht këtë ide, sepse rusi është në ndalim në Gjermani, në mesin e arsyeve të tjera, tha burimi.
Ndonëse nuk u fut në hollësi, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë e refuzoi ofertën. “Mbajtja peng e dy amerikanëve të ndaluar në mënyrë të padrejtë për lirimin e një vrasësi rus në ndalim në një shtet të tretë nuk është kundërofertë serioze. Kjo është një përpjekje në keqbesim për ta shmangur marrëveshjen në tavolinë, të cilën Rusia duhet ta pranojë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson.
Ministri rus i sugjeroi homologut amerikan që të dyja palët t’i kthehen diplomacisë së qetë sa i përket çështjes së këmbimit të të burgosurve, shkruan agjencia "Reuters".
“Sa i përket shkëmbimit të mundshëm të qytetarëve të burgosur rusë e amerikanë, pala ruse sugjeroi fuqishëm një kthim në praktikën e trajtimit të kësaj pune në mënyrë profesionale dhe duke e përdorur “diplomacinë e qetë” e jo nxjerrjen e informatave spekuluese”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Shtetet e Bashkuara njoftuan këtë javë se i kanë bërë një ofertë Rusisë për ta siguruar lirimin e basketbollistes amerikane, Brittney Griner, dhe ish-marinsit amerikan, Paul Whelan, por nuk zbuluan se çfarë kanë ofruar në këmbim.
Sipas një burimi, Uashingtoni është i gatshëm që ta ofrojë lirimin e trafikuesit rus të armëve, Viktor Bout, i cili është duke e vuajtur dënimin me 25 vite burgim.
Familjet e amerikanëve të ndaluar jashtë vendit, shumë prej tyre nga armiqtë kryesorë të Shteteve të Bashkuara, ia kanë shtuar presionin presidentit amerikan, Joe Biden, rishtazi në rastin e basketbollistes Griner, e cila u arrestua nën akuzën për drogë në një aeroport të Moskës më 17 shkurt dhe mund të dënohet me deri 10 vite burgim.
Blinkeni gjithashtu tha se theksoi para Lavrovit se bota pret që Rusia t’i përmbushë zotimet e saj në marrëveshjen me Ukrainën, të nënshkruar në Turqi, për rifillimin e eksportimit të drithërave dhe plehrave, që janë bllokuar nga lufta e që po e thellojnë krizën globale të ushqimit.
Sidoqoftë, ministri rus i tha homologut amerikan se janë sanksionet e Shteteve të Bashkuara ato që e kanë ndërlikuar situatën globale të ushqimit.
Kryediplomati amerikan e paralajmëroi Lavrovin kundër planeve për të aneksuar territore të Ukrainës. “Bota nuk do t’i njohë aneksimet. Ne do t’i vendosim kosto të konsiderueshme shtesë Rusisë, nëse ajo lëviz përpara me planet e saj”, tha sekretari Blinken.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
