“Çështja s’është nëse, por kur”: Australia e paralajmëron njohjen e Palestinës
Ministri i Thesarit i Australisë, Jim Chalmers, tha të enjten se njohja e një shteti palestinez nga vendi i tij është vetëm çështje kohe, disa ditë pasi kryeministri Anthony Albanese tha se nuk ishte duke planifikuar që të bënte një lëvizje të tillë menjëherë.
“Është çështja kur, jo nëse Australia njeh një shtet palestinez… por nuk dëshiron që t’i vendos një kornizë kohore kësaj” – i tha zyrtari i lartë transmetuesit publik ABC, duke shtuar se trajtimi i pengjeve dhe çfarëdo përfshirjeje e Hamasit në një shtet të ardhshëm palestinez mbeten pengesa të mëdha për Australinë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Vetë kryeministri Albanese tha të enjten se e kishte diskutuar krizën në Gaza me homologun e tij britanik, Keir Starmer, dhe e ritheksoi mbështetjen e fuqishme të qeverisë së tij për një zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe palestinezëve.
Starmer tha këtë javë se Britania planifikon të të njohë një shtet palestinez në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të bashkuara, nëse Izraeli nuk plotëson disa kushte.
Para njoftimit të kryeministrit britanik, Franca gjithashtu tha se do të njohë një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Të njëjtin njoftim e dha edhe Kanadaja të mërkurën.
Australia ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim formal për njohjen e shtetësisë palestineze, edhe pse Albanese i mbështet të drejtën e Izraelit për të ekzistuar brenda kufijve të sigurt dhe të drejtën e palestinezëve për ta kërkuar shtetin e tyre.
Në një deklaratë, Albanese tha se ai dhe homologu britanik janë pajtuar për rëndësinë e shfrytëzimit të momentumit ndërkombëtar për sigurimin e një armëpushimi, lirimin e të gjitha pengjeve që po mbahen nga Hamasi dhe përshpejtimin e ndihmave në enklavën e shkatërruar nga lufta. Ata gjithashtu duan që të sigurohen që Hamasi, i cili e qeveris Gazën, nuk do të luajë ndonjë rol në një shtet të ardhshëm palestinez.
“Ajo që ne do të vazhdojmë ta bëjmë është që të shtyjmë përpara një pozicion parimor që është në pajtim me përkushtimin tonë të palëkundur ndaj vizitonit të zgjidhjes me dy shtete” – tha Albanese në një konferencë për gazetarë. “Në aspektin e menjëhershëm, ne vazhdojmë që të bëjmë thirrje për armëpushim. Vazhdojmë që të bëjmë thirrje për lirimin e pengjeve. Vazhdojmë të themi se Hamasi nuk mund të ketë rol në një shtet të ardhshëm palestinez dhe vazhdojmë të bëjmë thirrje që të lejohen ndihma për njerëzit e Gazës” – shtoi ai.
Më herët këtë javë, kryeministri australian tha se Izraeli “goxha qartë” e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare gjatë luftës në Gaza, por gjithashtu tha se vendi i tij nuk ka plan që “menjëherë” të njohë një shtet palestinez./Nacionale/Nasuf Abdyli