Cameron: Izraeli e shkel të drejtën ndërkombëtare, nëse ia mohon Gazës ushqimin e ujin
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, tha të martën se Izraeli është duke rënë ndesh me të drejtën ndërkombëtare si fuqi pushtuese, nëse dështon që t’u ofrojë ushqim e ujë njerëzve të Gazës. Ky është paralajmërimi më i qartë deri më tani i zyrtarit të lartë britanik për sjelljen e Izraelit.
Kryediplomati britanik tha, gjithashtu, se është thjesht e pamundshme për njerëzit në Rafah që të largohen sipas propozimit të ushtrisë izraelite, koment që lë të kuptohet se Britania e Madhe nuk do të përkrahte ndonjë plan izraelit që do të përbënte sulm të shkallës së plotë ndaj zonës ku ndodhen mbi një milion njerëz të dyndur në kampe të stërngarkuara refugjatësh, raporton gazeta “The Guardian”.
Cameroni tha: “Njerëzit që janë në Rafah në shumë raste tashmë kanë lëvizur tri, katër ose pesë herë dhe nuk është e mundshme që të lëvizin prapë. Ata nuk mund të shkojnë në veri, sepse ata do të ktheheshin në shtëpi që janë shkatërruar. Ata nuk mund të shkojnë në jug, sepse kjo do ta përfshinte hyrjen në Egjipt, që asnjëri nga ne nuk duam ta shohim dhe egjiptianët nuk duan ta shohin.”
“Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që izraelitët të ndalin dhe të mendojnë para se të vazhdojnë përpara me çfarëdo operacioni dhe të përgatiten” – shtoi sekretari britanik.
Komentet e tij erdhën në kohën kur ShBA-ja tha se po shqyrtonte raportime që Izraeli kishte lënduar civilë në Gaza, sipas një grumbulli të udhëzimeve me qëllim të sigurimit që shtetet që marrin armë amerikane të kryejnë operacione ushtarake në vijë me të drejtën humanitare ndërkombëtare.
Të martën, Cameroni anashkaloi një kërkesë që Britani ta ndalte furnizimin e Izraelit me armë, duke shtuar se Hamasi do të mund t’i ndalte luftimet menjëherë.
Në fjalimin e tij, kryediplomati britanik tha se ShBA-ja është duke e shqyrtuar pikën në të cilën ajo do të ishte e gatshme për të njohur një shtet palestinez, pasi njohja që do të vinte vetëm pas një marrëveshjeje mes Palestinës e Izraelit do t’i ofronte këtij të fundit të drejtë të vetos.
Ai shtoi se vetëm pse njohja e Palestinës nuk ka ndodhur në fillim, “kjo nuk do të thotë se duhet të presë deri në fund”. “Njëra nga gjërat që po fillon të ndryshojë, për të cilën unë mendoj se është shpresëdhënëse, është qëndrimi amerikan” – tha Cameroni.