Burimet egjiptiane: Izraeli po përgatit sulm në Rafah pas Ramazanit ose në fillim të majit
Pas dështimit të rundit të ri të bisedimeve në Katar, Izraeli nuk është i gatshëm që t’i ofrojë koncesione të mëtejme Hamasit dhe po përgatitet për një sulm tokësor në Rafah pas Bajramit të Madh – festë që vjen pas përfundimit të Ramazanit – ose më së voni në fillim të majit, sipas burimeve egjiptiane që kanë qenë në kontakt me zyrtarë të ushtrisë izraelite, të cituara nga e përditshmja libaneze, “Al-Akhbar”.
Operacioni tokësor brenda bastionit të fundit të Hamasit në Rripin e Gazës do të zgjaste nga katër deri në tetë javë, thanë burimet, dhe do të shoqërohej me evakuimin e popullsisë civile që është duke u strehuar në Rafah – rreth 1,5 milion njerëz – drejt pjesës qendrore të enklavës, përgjatë rrugëve specifike e në kohë specifike, për të cilat civilët në secilën zonë do të njoftoheshin paraprakisht, përcjell gazeta “The Times of Israel”.
Evakuimi masiv do të vëzhgohej nga toka dhe ajri për t’u siguruar që asnjë luftëtar i Hamasit dhe asnjë peng izraelit nuk është fshehur në mesin e civilëve, thonë zyrtarët egjiptianë.
Nga ana e vet, Egjipti e shpreh shqetësimin e thellë për një operacion të ushtrisë izraelite në Rafah, duke theksuar se ky veprim do të çonte te një eskalim i mëtejmë jo vetëm në Gaza, por në mbarë rajonin, raporton gazeta “Al-Akhbar”. Thuhet se Izraeli është zotuar për t’i njoftuar egjiptianët paraprakisht për operacionin e ushtrisë izraelite në korridorin Philadelphi, që kalon nëpër pjesën perëndimore të qytetit Rafah, përgjatë kufirit mes Gazës dhe Egjiptit.
Gazeta libaneze gjithashtu raporton se presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi, ka refuzuar një kërkesë të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për një linjë të drejtpërdrejt komunikimi për të qëndruar në kontakt.
Për më tepër, e përditshmja pretendon se janë duke u zhvilluar bisedime, me ndërmjetësimin e Emirateve të Bashkuara Arabe, që t’u dërgohen ilaçe pengjeve izraelite në këmbim të sasisë së madhe të ilaçeve për t’u lejuar që të dërgohen në Rripin e Gazës.