Britanikja 87-vjeçarje vdiq nga hipotermia, thuhet se kishte frikë nga fatura e lartë e energjisë
Një grua 87-vjeçare britanike, e cila vazhdimisht kishte refuzuar që ta lëshonte sistemin e ngrohjes për shkak të frikës nga fatura e lartë e energjisë, vdiq nga hipotermia e thellë, pasi u gjet e rrëzuar në shtëpinë e saj, thuhet në një hetim.
Barbara Bolton u gjet nga nipi i saj në tavolinën e kuzhinës pa mundur që të fliste më 11 dhjetor të vitit 2022. Mjekët zbuluan se ajo kishte temperaturë trupore prej vetëm 28 gradësh, ndërsa temperatura normale trupore e njeriut është 37 gradë, raporton gazeta “The Guardian”.
Ajo u dërgua në një spital në Bury, por vdiq nga pneumonia e shkaktuar nga hipotermia më 5 janar, thuhet në hetim.
Mjekës ligjore, Joanne Kearsley, iu tha se pensionistja përkrahej nga një familje e kujdesshme, por ishte kokëfortë dhe i kishte shpërfillur lutjet e anëtarëve të familjes që ta lëshonte ngrohjen në shtëpinë e saj në Bury të Mançesterit. Në gjykatë u tha se familja e kishte inkurajuar të moshuarën për ta lëshuar ngrohjen dhe i kishte thënë që të mos brengosej për faturat, por ajo nuk ishte pajtuar.
Biri i saj, Mark Bolton, në deklaratën e lexuar në gjykatë tha se nëna e tij kishte hequr dorë nga puna si asistente në një barnatore në moshën 82-vjeçare, ndërsa në dëshmitë mjekësore të paraqitura në gjykatë është vërejtur se ajo zor se kishte vizituar ndonjëherë ndonjë mjek të përgjithshëm gjatë jetës së saj.
Ai tha se anëtarët e familjes kishin biseduar përditë me nënë e tij dhe e kishin vizituar shpesh dhe tregoi se si ajo ndizte një bombol gazi në dhomën e ndejës, kur vizitohej nga të tjerët.
Bolton tha se familja i kishte dërguar zonjës së moshuar edhe ngrohëse, por se ajo i lëshonte ato vetëm kur e vizitonin të afërmit.
