Britanikët kërkojnë ribashkim me BE-në, mijëra protestues në rrugët e Londrës
Mijëra protestues kanë marshuar nëpër rrugët e Londrës duke bërë thirrje që Britania e Madhe të ribashkohet me BE-në.
The Guardian raporton se, ky marsh i ribashkimit ka mbledhur turma të mëdha njerëzish që kanë udhëtuar nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar për të marrë pjesë në ecjen e nisur drejt Sheshit të Parlamentit.
Sheshi i Parlamentit, ndalesa e fundit e marshimit, u mbush të shtunën me ngjyra blu e verdhë, me njerëz që valvitnin flamujt e BE-së dhe mbanin pankarta ku kërkohej rikthimi në BE, të tilla si,"Brexit nuk do të funksiononte kurrë", "Për fatura më të ulëta #ribashkohuni në BE", e të tjera.

Kur një nga protestueset u pyet rreth asaj se Boris Johnson mund të rikthehej prapë si kryeministër, ajo u përgjigj duke thënë se: "Nëse ata po mendojnë se Boris Johnson është përgjigja, ata nuk e kanë kuptuar pyetjen, kjo është thjesht qesharake.”
Ndërkohë, një protestues tjetër Oliver Jackson, tha se ishte e rëndësishme që politikanët të dëgjonin ata që donin të ribashkoheshin me BE-në.
Ai tha: “Zëri ynë duhet të dëgjohet, veçanërisht gjatë gjithë këtij kaosi, ne nuk mund të mos merremi me këtë. Sinqerisht, mënyra më e mirë për ta rikthyer MB-në në rrugën e duhur është ribashkimi me BE-në.”
Ai shtoi se, “Brexit ka qenë vdekja e ngadaltë që e ka përgjakur Mbretërinë e Bashkuar për vite me radhë.”
Ndërsa, kur nga ekrani i marshimit u fol për mundësinë që Johnson të kandidojë sërish për kryeministër, turma u dëgjua të brohoriste “tories out”, referuar konservatorëve.

Joshua Allotey, një 57 vjeçar nga Winchester, besonte se MB do të vazhdonte të vuante për shkak të largimit nga BE.
Ai tha se, “largimi ishte një gabim i keq, që tashmë i ka kushtuar shumë Britanisë së Madhe,” duke shtuar se nëse nuk ka kthim prapa, gabimi do të vazhdojë t'i kushtojë edhe më shumë vendit.
“Brexit u nxit nga ideologjia dhe në fakt nuk është krijuar për të ndihmuar MB-në. Ne jemi më mirë brenda BE-së,” u shpreh ai.
