Britania thotë se rusët po mblidhen në jug të Ukrainës: Lufta po hyn në një fazë të re
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka thënë se vërehet një grumbullim i konsiderueshëm i forcave ruse në pjesën jugore të Ukrainës, por nuk është e qartë nëse qëllimi është një sulm i ri ndaj territorit ukrainas.
“Autokolona të gjata të kamionëve, tankeve, artilerisë dhe armëve të tjera të ushtrisë ruse vazhdojnë që të largohen nga rajoni Donbas i Ukrainës dhe po drejtohen për në jugperëndim”, thuhet në raportin e ri të inteligjencës britanike, shkruan "The Guardian".
“Raportohet se pajisje po zhvendosen edhe nga qytetet e pushtuara nga rusët, Melitopol, Berdiansk dhe Mariupol si dhe nga Rusia përmes urës së Kerch-it për në Krime”, thuhet më tej në raport.
“Grupet taktike të batalioneve, që përbëhen nga 800 deri në 1.000 ushtarë, janë dërguar në Krime dhe pothuajse sigurisht do të përdoren për t’i përkrahur trupat ruse në rajonin Kherson”, raporton inteligjenca e Ministrisë së Mbrojtjes e Britanisë.
“Më 2 gusht 2022, një grup i ri taktik i batalioneve është dërguar në krime dhe grupe të tilla po ridërgohen nga Grupimi Lindor i Forcave. Me shumë gjasë, ato do të dërgohen në rajonin Kherson në ditët e ardhshme”, shtohet në raport.
Latest Defence Intelligence update on the situation in Ukraine - 6 August 2022
— Ministry of Defence 🇬🇧 (@DefenceHQ) August 6, 2022
Find out more about the UK government's response: https://t.co/ipwkuIN1lV
🇺🇦 #StandWithUkraine 🇺🇦 pic.twitter.com/cyB1fVrATh
Inteligjenca britanike gjithashtu beson se lufta po hyn në një fazë të re. “Lufta e Rusisë në Ukrainë pritet të hyjë në një fazë të re. Luftimet më të ashpra do të zhvendosen në një vijë të frontit rreth 350-kilometërshe të shtrirë në jugperëndim, nga zona afër qytetit Zaporizhzhya deri në Kherson, paralelisht me Lumin Dnieper”, thuhet në raportin e ministrisë britanike.
Ndërkohë Ukraina i ka akuzuar forcat ruse për sulme afër një reaktori bërthamor në centralin që ndodhet në rajonin e pushtuar nga rusët, Zaporizhzhya.
“Tri sulme u regjistruan në zonën e centralit, afër njërit nga blloqet e rrymës ku ndodhet reaktori bërthamor”, tha operatori shtetëror i reaktorëve bërthamor të Ukrainës, “Energoatom”.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i akuzoi forcat ukrainase për bombardimin e centralit, duke thënë se rrjedhja e rrezatimit është shmangur vetëm me fat./Nacionale