Britania: Me shumë gjasa, Prigozhini është i vdekur
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se ka shumë gjasa që shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin”, vërtet ka vdekur.
“Ende nuk ka dëshmi përfundimtare se Prigozhini ndodhej në aeroplan dhe ai njihet për ushtrimin e masave të jashtëzakonshme të sigurisë. Megjithatë, ka shumë gjasë që ai vërtet është i vdekur”- thuhet në vlerësimin e ministrisë britanike.
“Vdekja e Prigozhinit pothuajse sigurisht do të kishte një efekt thellësisht destabilizues ndaj grupit “Wagner”. Tiparet e tij personale të hiper-aktivitetit, guximit, përpjekja për rezultate dhe brutaliteti i tepërt e kanë përshkuar “Wagner”-in dhe ka pak gjasa që të plotësohen nga ndonjë pasardhës”- thuhet më tej në shkrimin e ministrisë britanike në rrjetin X.
(1/5) On 23 August 2023, exactly two months after the Wagner Group’s mutiny, a Wagner-associated Embraer business jet crashed near Tver, between Moscow and St Petersburg. The Russian authorities claim 10 people on board died, including Wagner owner Yevgeny Prigozhin.
— Ministry of Defence 🇬🇧 (@DefenceHQ) August 25, 2023
“Boshllëku i udhëheqësisë së “Wagner”-it do të përkeqësohej nga raportimet se themeluesi dhe komandanti i terrenit, Dimitry Utkin, dhe shefi i logjistikës, Valery Chekalov, gjithashtu kanë vdekur”- shtoi ministria britanike.
Sipas autoritetit rus të aviacionit, aeroplani i rrëzuar kishte dhjetë persona në të, përfshirë Prigozhinin, tre anëtarë të ekuipazhit dhe gjashtë persona të tjerë. Aeroplani u rrëzua të mërkurën afër Moskës pak minuta pas nisjes së fluturimit.
Ekipet e shpëtimit gjetën dhjetë trupa, asnjë të mbijetuar. Mediat ruse cituan burime anonime në grupin “Wagner” që kanë thënë se Prigozhini ka vdekur, por për këtë nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga autoritetet.
