Britania konfirmon se është në bisedime me Francën për njohjen e Palestinës
Mbretëria e Bashkuar është në diskutime me Francën dhe Arabinë Saudite për njohjen e një shteti palestinez në një konferencë në qershor, të organizuar nga këto dy shtete për ta mbajtur gjallë idenë politike të zgjidhjes me dy shtete në Lindjen e Mesme, tha sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy.
Komentet e kryediplomatit britanik e shënojnë rastin e parë kur Mbretëria e Bashkuara pranon se është duke u zhvilluar diskutim me Francën për procesin e njohjes së Palestinës, raporton gazeta “The Guardian”.
Njohja e Palestinës nga dy anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të ishte një deklaratë e fuqishme, por ballafaqohet me shumë pengesa diplomatike, përfshirë nevojën për qartësi më të madhe për atë që Franca është duke e propozuar dhe për atë nëse njohja do të mund të formonte një pjesë të një procesi të besueshëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete, diçka që po kundërshtohet nga Izraeli.
Lammy, duke folur në komitetin për marrëdhënie ndërkombëtare në dhomën e lartë të Kuvendit të Britanisë, tha se vendi i tij dëshiron që ta bëjë hapin e njohjes së Palestinës, kur një gjë e tillë do të kishte efekt në terren dhe nuk do të ishte vetëm moment simbolik, duke shtuar se është konkludim i tij i pikëlluar se njohja e Palestinës nga disa shtete evropiane rishtazi nuk kishte pasur ndonjë efekt.
Duke u përmendur fakti se 160 shtete tashmë e kanë njohur Palestinën, përfshirë rishtazi Spoanjën, Norvegjinë dhe Irlandën, Lammy tha: “Askush nuk ka veto për atë se kur Britania e njeh shtetin palestinez... Ne gjithmonë kemi thënë se ajo njohje nuk është një fund në vete dhe ne do ta parapëlqejmë njohjen si pjesë e një procesi drejt dy shteteve.”
“Presidenti Macron ka pasur shumë për të thënë për këtë, më së voni, bashkë me sauditët, dhe natyrisht se ne jemi në diskutim me ta në këtë kohë” shtoi sekretari britanik.
Sipas tij, në bisedimet me Katarin javën e kaluar, ai ka nënvizuar se çfarëdo zgjidhjeje afatgjate do të kërkonte që Hamasi të mos jetë në qeverisjen e Gazës dhe udhëheqësia e tij do të duhej të largohej, ndoshta në një vend të tretë.
Më tej, Lammy tha se do të duhej të bëhej një proces i plotë i demilitarizimit, i ngjashëm me atë që ka ndodhur pas marrëveshjes së Të Premtes së Mirë në Irlandën e Veriut.
Megjithatë, kryediplomati britanik shtoi: “është e papranueshme që cilido grup i njerëzve të ketë jetuar pa shtet për më gjatë sesa koha sa unë jam gjallë.”
Ai pranoi se ritmi i përshpejtuar i zgjerimit të vendbanimeve hebreje po e minon zbatueshmërinë e zgjidhjes me dy shtete dhe tha se niveli i dhunës shkaku i vendbanimeve është “shokuese”.
Sipas sekretarit britanik, vitin e fundit janë ndërtuar 59 pika vendbanimesh në Bregun Perëndimor, ndërsa mesatarja e këtyre pikave në 25 vitet e fundit ishte shtatë./Nacionale