Britania i vë sanksione të reja Rusisë, Sunaku e paralajmëron Putinin: S’do të tërhiqemi
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, Rishi Sunak, e ka paralajmëruar presidentin rus, Vladimir Putin, se ai dhe udhëheqësit e tjerë perëndimorë nuk do të tërhiqen nga përkrahja për Ukrainën, përderisa po merr pjesë në samitin e Grupit G7 në Japoni.
Udhëheqësi i qeverisë britanike tha se presidenti rus duhet të kuptojë se aleatët perëndimorë janë të palëkundur sa i përket përkrahjes së rezistencës së Ukrainës kundër pushtimit rus, raporton gazeta “The Independent”.
Kryeministri britanik tha se Rusia do të paguajë një çmim dhe njoftoi për një valë të re sanksionesh ndaj këtij vendi, duke i ndaluar diamantet, bakrin, aluminin dhe nikelin nga Federata Ruse.
“Porosia ime për Putinin është e drejtpërdrejtë. Nuk do të tërhiqemi”- tha kryeministri britanik në televizionin “Sky News” në Hiroshima pak para fillimit të samitit të Grupit G7.
Ka pasur paqartësi nëse Bashkimi Evropian do të shkojë aq larg me sanksione sa Britania sa u përket diamanteve, sepse kjo tregti është veçanërisht fitimprurëse për Belgjikën. Megjithatë, Sunaku tha: “Unë kam shpresë dhe besim se vendet tona partnere do të na ndjekin, siç kanë bërë, kur ne e kemi bërë këtë më parë, gjë që do t’i bëjë sanksionet më efektive dhe do të garantojë që Rusia të paguajë një çmim për aktivitetin e saj ilegal.”
Bisedimet mes aleatëve të Grupit G7, ku do të marrin pjesë edhe presidentët e ShBA-së dhe Francës, Joe Biden e Emmanuel Macron, do të përqendrohen në përkrahjen ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke u përpjekur që të paraqitet një front i përbashkët për këtë çështje.
“Rusia duhet të dijë se ne dhe vendet e tjera mbesim të palëkundura në vendosmërinë tonë për ta përkrahur Ukrainën, jo vetëm këtu dhe tani, me burimet që i nevojiten për ta mbrojtur veten, por edhe për aspektin afatgjatë”- shtoi kryeministri britanik.
Përpos sanksioneve ndaj importeve nga Rusia, Britania e Madhe është duke përgatitur masa ndëshkuese edhe ndaj 86 individëve dhe kompanive për t’u bërë presion të mëtejmë presidentit rus dhe përkrahësve të tij.
