E befasishme: Zelensky do të shkojë në Japoni për samitin e Grupit G7
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të udhëtojë drejt Japonisë për të marrë pjesë në samitin e Grupit G7, i tha televizionit shtetëror ukrainas një zyrtar i sigurisë në Ukrainë.
“Gjëra shumë të rëndësishme do të vendosen atje, prandaj prania e presidentit tonë është absolutisht thelbësore me qëllim që të mbrohen interesat tona”- tha Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, raporton televizioni BBC.
Në dhjetë ditët e fundit, Zelensky ka udhëtuar në Itali, Gjermani, Francë dhe Britani për t’u siguruar se udhëheqësit e këtyre vendeve t’i kishin parasysh kërkesat e tij para se të arrinte në Hiroshima.
Presidenti ukrainas u ka thënë aleatëve perëndimor se dëshiron një “koalicion të aeroplanëve”. Deri më tani, ai ka marrë një premtim nga Britania për trajnimin e pilotëve, por pritet që Zelensky të kërkojë më shumë – në mënyrë ideale, aeroplanë luftarakë.
Ai mund të dëshirojë që t’ia marrë vëmendjen edhe kryeministrit japonez, Fumio Kishida, i cili planifikon që ta dyfishojë buxhetin e mbrojtjes për vendin e tij gjatë pesë viteve të ardhshme.
Japonia ka marrë pozicion të qartë sa i përket luftës së Ukrainë, duke iu bashkuar vendeve të Grupit G7 për sanksionet kundër Rusisë.
Kishida e vizitoi Ukrainën në mars dhe është zotuar për ndarjen e 5,5 miliardë dollarëve shtesë si përkrahje për vendin e përfshirë nga lufta.
