Bideni arrin në Japoni për samitin e Grupit G7, takohet me kryeministrin japonez
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, arriti të enjten në Japoni, ku u takua me kryeministrin japonez, Fumio Kishida.
“Kur vendet tona qëndrojnë bashkë, ne qëndrojmë më të fortë”- tha presidenti amerikan, shenjë se si është rritur aleanca për ekonominë dhe për sigurinë kombëtare mes dy vendeve, raporton agjencia “Associated Press”.
Në anën tjetër, për marrëdhëniet e Japonisë me ShBA-në, para fillimit të samitit të Grupit G7 të premten, kryeministri japonez tha: “Ne e mirëpresim shumë (faktin) që bashkëpunimi ka evoluuar me përparim të shpejtë.”
Takimi i udhëheqësve të vendeve të industrializuara do të zhvillohet në vendlindjen e Kishidas, Hiroshima, aty ku Shtetet e Bashkuara e kishin hedhur bombën e parë bërthamore më 1945 gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe aleatët e tyre po bëjnë strategji se si të merren me luftën e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë si dhe për shqetësimin rreth ngritjes së ritmit të testimit të raketave balistike nga Koreja Veriore si dhe për programin bërthamor të Iranit.
Jake Sullivan, këshilltar për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, tha se lufta e Rusisë do të ketë vend të rëndësishëm gjatë samitit në Japoni. “Do të ketë diskutime për fushën e betejës”- tha ai gjatë udhëtimit drejt Japonisë, duke theksuar se udhëheqësit do të punojnë për të mbyllur ndonjë zbrazëtirë në sanksionet kundër Rusisë në mënyrë që efekti i tyre të maksimalizohet.
Vitin e kaluar, Bideni e vizitoi Japoninë për të diskutuar rreth strategjisë në rajonin e Indo-Paqësorit dhe hapi një kornizë të re tregtare për rajonin.
