Britania e mbështet shtetësinë palestineze në të ardhmen, por prioritet e cilëson armëpushimin
Britania e përkrah njohjen e një shteti palestinez, por prioritet i menjëhershëm duhet të jenë lehtësimi i vuajtjeve në Gaza dhe sigurimi i një armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, tha të premten një ministër i kabinetit britanik.
Disa qeveri britanike njëra pas tjetrës kanë thënë se do të njohin një shtet palestinez në kohën e duhur, pa caktuar ndonjëherë ndonjë afat ose pa i saktësuar kushtet për një vendim të tillë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne duam shtetësi palestineze, e dëshirojmë atë, dhe duam që të sigurohemi që rrethanat mund të ekzistojnë ku ai lloj i zgjidhjes politike afatgjate mund të ketë hapësirë për të evoluuar” – tha ministri britanik i Shkencës dhe Teknologjisë, Peter Kyle.
“Por tani për tani, sot, ne duhet të përqendrohemi në atë që do ta lehtësojë vuajtjen dhe ajo është ekstreme, vuajtja e pajustifikuar në Gaza që duhet të jetë prioriteti për ne sot” – shtoi ai.
Komentet e tij erdhën pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij synon që të njohë një shtet palestinez në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, plan që u dënua fuqishëm nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Në një deklaratë të lëshuar të enjten, kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se shtetësia është “e drejtë e patjetërsueshme e popullit palestinez”, duke e përsëritur thirrjen e tij për armëpushim si hap i nevojshëm drejt arritjes së një zgjidhjeje me dy shtete.
Duke folur gjatë një vizite në Australi, sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, i dha jehonë thirrjes së Starmerit për armëpushim dhe situatën në Gaza e përshkroi si “të papërligjshme”.
Autoritetet shëndetësore në Gaza thonë se më shumë se 100 njerëz kanë vdekur nga uria, shumica prej tyre në javët e fundit./Nacionale