Britania e dënon TikTok-un me mbi 12 milionë funte për shkelje të privatësisë së fëmijëve
Aplikacioni i njohur për video, TikTok, është ndëshkuar me 12,7 milionë funte për dështimin që ta mbronte privatësinë e fëmijëve, ka njoftuar agjencia britanike e të dhënave.
Përmes një hetimi të kryer nga Zyra e Komisionarit të Informacionit u zbulua se aplikacioni për video e kishte shkelur ligjin për mbrojtjen e të dhënave, raporton televizioniBBC.
Kjo zyrë tha se shkeljet kishin ndodhur gjatë periudhës maj 2018 – korrik 2020. Në shtator, Zyra e Komisionarit të Informacionit i lëshoi TikTok-ut një letër qëllimi si paralajmërim para shqiptimit të ndonjë dënimi të mundshëm.
Zyra britanike njofton se TikTok-u kishte lejuar deri në 1,4 milion fëmijë britanikë nën moshën 13-vjeçare që ta përdornin platformën më 2020 pavarësisht nga vetë rregullat e veta, me të cilat nuk lejohej që fëmijët e asaj moshe të hapnin llogari në aplikacion.
Sipas ligjit britanik për mbrojtjen e të dhënave, platformat që përdorin të dhëna personale, kur u ofrojnë informacione fëmijëve nën moshën 13-vjeçare, duhet të funksionojnë me lejen e prindërve.
Komisionari i Informacionit, John Edwards, tha: “Ka ligje në fuqi për t’i siguruar që fëmijët tanë të jenë sigurt në botën digjitale sa në botën fizike. TikTok-u nuk i respektoi ato rregulla.”
“Si pasojë, një shifre të vlerësuar prej një milion fëmijësh nën moshën 13-vjeçare u ishte dhënë në mënyrë jo të duhur qasje në platformë, TikTok-u i mblidhte dhe i përdorte të dhënat e tyre personale. Kjo nënkupton që të dhënat e tyre mund të jenë përdorur për t’i përcjellë dhe për t’i profilizuar ata, potencialisht duke u dhuruar përmbajtje të dëmshme e jo të duhur në klikimin e ardhshëm”- shtoi ai.

