Britania deklarohet e gatshme për t’i dorëzuar GjNP-së të dhëna inteligjente për Gazën - NACIONALE

Britania deklarohet e gatshme për t’i dorëzuar GjNP-së të dhëna inteligjente për Gazën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mbretëria e Bashkuar ka thënë se është e gatshme që t’i ofrojë Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) të dhëna të inteligjencës që i ka grumbulluar gjatë fluturimeve vëzhguese mbi Gazën, nëse një gjë e tillë i kërkohet.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tashmë është duke kryer një hetim rreth dyshimeve për krime lufte që mund të jenë kryer edhe nga Izraeli, edhe nga Hamasi, raporton televizioni BBC.

Forca Ajrore Mbretërore e Britanisë së Madhe ka kryer qindra fluturime vëzhguese mbi Gazën nga dhjetori i vitit të kaluar dhe thuhet se ato i ka bërë me aeroplanë spiunë të tipit “Shadow R1” me bazë në Qipro.

Ministria e Mbrojtjes tha se këto fluturime kishin për qëllim që të mblidhnin të dhëna të inteligjencës në lidhje me pengjet e kapura nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.

Megjithatë, kjo ministri gjithashtu ka thënë se është e gatshme që të ndajë me GjNP-në edhe të dhëna të inteligjencës që kanë të bëjnë me krime lufte.

Ministria e Mbrojtjes i ka mohuar raportimet se është duke i ofruar Izraelit të dhëna me shënjestra më të gjera ose se ka përdorur aeroplanë të Forcës Ajrore Mbretërore për të dërguar armë në Izrael gjatë luftës së këtij vendi në Gaza.

“Në vijë me detyrimet tona ndërkombëtare, ne do të shqyrtonim çfarëdo kërkese formale nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për të ofruar të dhëna në lidhje me hetimet për krime lufte. Mbretëria e Bashkuar nuk është pjesëmarrëse në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Mandati ynë është i përcaktuar ngushtë për t’u përqendruar vetëm në sigurimin e lirimit të pengjeve, përfshirë shtetasit britanikë, ndërsa Forca Ajrore Mbretërore ka kryer fluturime pa pilotë në mënyrë rutinore që nga dhjetori i vitit 2023 për këtë arsye të vetme” – thuhet më tej.

Deri më tani, Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka paraqitur kërkesë formale për të dhëna./Nacionale

Lajme të ngjashme