Bosnja s’e lejon të aterrojë në Republikën Serbe aeroplanin ku ndodhej kryediplomati i Hungarisë - NACIONALE

Bosnja s’e lejon të aterrojë në Republikën Serbe aeroplanin ku ndodhej kryediplomati i Hungarisë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës, Zukan Helez, të mërkurën refuzoi që ta lejonte aterrimin në Republikën Serbe të Bosnjës të një aeroplani ushtarak në të cilin ndodhej ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, duke thënën se Budapesti e kishte mbështetur udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, në aktet që e minuan sovranitetin e Bosnjës.

Helez tha se Hungaria kishte dështuar që të ofronte një shpjegim se pse kryediplomati i saj ndodhej në aeroplanin që donte të aterronte në Banja-Llukë, qyteti kryesor i Republikës Serbe, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Szijjarto e vizitoi Serbinë fqinje të mërkurën për të diskutuar hollësi se si Hungaria mund ta ndihmojë Beogradin pas ndërprerjes së dërgesave të naftës së papërpunuar nga Kroacia.

Helez tha se kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe ministri i tij Szijjarto haptazi e kishin mbështetur Dodikun në akte që “i minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Bosnjës e Hercegovinës”.

“Si ministër i Mbrojtjes i Bosnjës e Hercegovinës, detyra ime është që t’i mbroj rendin kushtetues, ligjet dhe interesin e Bosnjës e Hercegovinës” – shkroi ministri boshnjak në rrjetin “Facebook”.

“Për këtë arsye, unë kam vendosur që të mos e miratoj këtë fluturim derisa të sigurohen transparenca e plotë dhe respektimi i shtetit tonë” – shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Hungarisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Dodiku, ish-president i Republikës Serbe që është shkarkuar nga detyra, pasi u dënua për sfidimin e vendimeve të emisarit ndërkombëtar të paqes dhe të Gjykatës Kushtetuese, është mburrë me përkrahjen e Orbanit për politikat e tij.

Ai u takua me kryeministrin hungarez të mërkurën në Budapest./Nacionale

Lajme të ngjashme