Borrelli thotë se Izraeli e ka financuar Hamasin, e tregon arsyen - NACIONALE

Borrelli thotë se Izraeli e ka financuar Hamasin, e tregon arsyen

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se Izraeli e kishte financuar Hamasin “në përpjekje për ta dobësuar Autoritetin Palestinez të udhëhequr nga Fatahu”.

Raportohet gjerësisht se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë në disa raste gjatë viteve se synonte që ta forconte Hamasin me qëllim që të nxiste përçarje brenda shoqërisë palestineze dhe ta lehtësonte presionin ndërkombëtar për formimin e një shteti palestinez, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Po, Hamasi ishte financuar nga Qeveria e Izraelit në një përpjekje për ta dobësuar Autoritetin Palestinez të udhëhequr nga Fatahu”- tha kryediplomati evropian në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Vajadolidit në Spanjë, pa u thelluar në këtë deklaratë.

Megjithatë, ai shtoi se zgjidhja e vetme paqësore e përfshin formimin e një shteti palestinez dhe la të kuptohej se mund të ketë nevojë që kjo “të imponohet nga jashtë”.

Të premten, një zyrtar i lartë i BE-së tha se Bashkimi Evropian ka miratuar sanksione që e vënë në shënjestër Hamasin, duke shtuar se masat e para do të prekin gjashtë persona të përfshirë në financimin e këtij grupi.

“Ajo që ne po e bëjmë tani – është bërë sot dhe mendoj se do të njoftohet në orët e ardhshme – [është që] kemi miratuar një regjim të dedikuar për Hamasin. Kemi futur në listë gjashtë persona”- tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.

Ai shtoi se gjashtë personat e përfshirë në sanksione janë nga vende arabe ose afrikane dhe ishin të përfshirë në financimin e Hamasit.

Ky grup e ka qeverisur Rripin e Gazës nga viti 2007, pas një lufte të shkurtër civile me forcat besnike ndaj lëvizjes së Fatahut, të udhëhequr nga presidenti palestinez, Mahmoud Abbas.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha në një deklaratë se një delegacion i Hamasit u prit në Moskë dhe se gjatë bisedimeve, pala ruse e theksoi nevojën për lirimin e pengjeve.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme