Borrelli e paralajmëron Izraelin nga Libani: Askush s’do të fitojë nga një konflikt rajonal
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ngriti një alarm të shtunën për rrezikun që Libani të tërhiqet drejt një konflikti rajonal nga eskalimi i mundshëm i luftës së Izraelit me Hamasin.
Duke folur gjatë një vizite në Liban, Borrelli tha se është urgjente që të shmanget eskalimi rajonal në Lindje të Mesme, dhe e paralajmëroi Izraelin se “askush nuk do të fitojë nga një konflikt rajonal”, raporton agjencia “Reuters”.
Zyrtari i lartë evropian i dha këto komente gjatë një konference të përbashkët për gazetarë me kryeministrin e Libanit, Najib Mikati, pas bisedimeve me zyrtarë të lartë qeveritarë për zhvillimet në Gaza dhe përreth saj, përfshirë ndikimin e luftës dhe situatën në kufirin Izrael – Liban.
“Po shohim një intensifikim shqetësues të shkëmbimit të zjarrit përgjatë Vijës së Kaltër”- tha kryediplomati i BE-së.
Vija e Kaltër është vija aktuale e demarkacionit mes Izraelit e Libanit, e hartuar nga Kombet e Bashkuara. Ajo e shënon vijën deri ku forcat izraelite ishin tërhequr, kur ishin larguar nga Libani në vitin 2000.
Më herët, gazeta Nacionale raportoi për shkëmbimin e zjarrit mes forcave izraelite e Hezbollahut përgjatë kufirit Izrael – Liban. Për ta lexuar këtë artikull, klikoni KËTU.