Izraeli e Hezbollahu shkëmbejnë zjarr në kufirin e Libanit, shqetësim për përhapje të luftës - NACIONALE

Izraeli e Hezbollahu shkëmbejnë zjarr në kufirin e Libanit, shqetësim për përhapje të luftës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Grupi libanez i përkrahur nga Irani, Hezbollahu, tha të shtunën se kishte hedhur raketa drejt Izraelit, ndërsa autoritetet izraelite thanë se kishin goditur një “celulë terroriste” si hakmarrje, në kohën kur kryediplomatët e ShBA-së e BE-së e vizituan rajonin për të gjetur mënyra për parandalimin e përhapjes së luftës së Gazës në rajon.

Pak pas aktivizimit të sirenave të alarmit për sulme ajrore në veri të Izraelit, ushtria izraelite tha se “u identifikuan rreth 40 hedhje nga Libani drejt zonës së Meronit në veri të Izraelit”- raporton agjencia “Reuters”.

Nuk pati raportime të menjëhershme për pasoja në njerëz apo dëme materiale.

Hezbollahu tha se kishte goditur një pikë kyçe izraelite të vrojtimit me 62 raketa si “kundërpërgjigje preliminare” ndaj vrasjes së nënkryetarit të Hamasit, Saleh al-Arouri, të martën.

Tensionet kanë qenë posaçërisht të larta që nga vrasja e Arourit me dron në periferi të kryeqytetit të Libanit, Bejrut, bastion i Hezbollahut, aleat i Hamasit. Besohet gjerësisht se prapa këtij sulmi qëndron Izraeli.

Kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, tha të premten se Libani do të “shpërfaqej” ndaj më shumë operacioneve izraelite, nëse ky grup nuk i kundërpërgjigjet vrasjes së nënkryetarit të Hamasit.

Ushtria izraelite tha se ishte kundërpërgjigjur ndaj sulmit të së shtunës me raketa me një sulm me dron ndaj “celulës terroriste përgjegjëse për hedhjet drejt zonës së Metulës”.

Aeroplanët luftarakë dhe trupat izraelite gjithashtu goditën një varg caqesh të Hezbollahut në zonat Ayta ash Shab, Yaroun e Ramyeh, në jug të Libanit, sipas ushtrisë izraelite, duke goditur një pikë për hedhje, objekte ushtarake e “infrastrukturë terroriste”.

Lajme të ngjashme