Blinkeni drejt Evropës për të biseduar rreth Ukrainës para rikthimit të Trumpit
Kryediplomati në largim i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, niset të martën drejt Brukselit për bisedime me aleatë evropianë të shqetësuar që presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, mund t’ia kthejë shpinën Ukrainës gjatë luftës së saj me Rusinë.
Në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga fitorja e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, Blinkeni do të ndalet në Bruksel para vizitave të planifikuara në Peru dhe Brazil më vonë këtë javë, sipas një njoftimi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në takime me zyrtarë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, Blinkeni do ta “diskutojë përkrahjen për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit të Rusisë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit, ku nuk jepen hollësi për atë se çfarë mesazhi do të përçojë.
Trumpi e ka kritikuar nivelin e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën gjatë mandatit të presidentit Joe Biden, duke nxitur shqetësime për të ardhmen e mbështetjes për qeverinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, nën pushtetin e republikanëve në Shtëpinë e Bardhë, në Senat dhe me gjasë edhe në Dhomën e Përfaqësuesve.
Zyrtarë të administratës së Bidenit kanë thënë se do të bëjnë shtytje për t’i dislokuar ndihmat që tashmë janë ndarë për Ukrainën para se Trumpi ta marrë pushtetin më 20 janar, me shpresë që do t’i ndihmojnë forcat ukrainase për t’i sprapsur trupat ruse, të cilat muajve të fundit kanë qenë duke fituar territor.
“Ne jemi duke punuar fort për ta lënë Ukrainën në një pozicion sa më të fortë të mundshëm, edhe duke e shtuar asistencën mes kohës së tanishme dhe fundit të administratës, edhe përmes bashkërendimit me partnerë përreth botës për t’u siguruar që ata të jenë gati për të ndërhyrë në çfarëdo shkelje” – tha një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti.