Blick për rastin e familjes kosovare në Zvicër: Katër vajza të mbajtura si skllave - NACIONALE

Blick për rastin e familjes kosovare në Zvicër: Katër vajza të mbajtura si skllave

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Thuhet se katër vajza janë abuzuar me vite sipas ligjit zakonor kosovar. Javën e ardhshme, një burrë kosovar dhe katër djemtë e tij të moshës madhore do të dalin para gjykatës rajonale në Moutier.

Blick

Në mes të Zvicrës, vajzat u mbajtën si skllave për 16 vjet, pa e vërejtur askush. Javën e ardhshme, një baba kosovar me katër bijtë e tij do të dalin në gjykatën rajonale në Moutier. Akuza: thuhet se ai kishte blerë nga një vajzë mes moshave 14 dhe 17-vjeçare si “bashkëshorte” nga Ballkani për secilin nga katër djemtë e tij. Për një dekadë e gjysmë, babai dhe bijtë i abuzuan vajzat dhe i detyruan ata që të bënin punë të shtëpisë.

Viktima e parë ishte dërguar në Zvicër nga Shqipëria më 2003. Vajza atëherë 17-vjeçare e njihte bashkëshortin e ardhshëm vetëm përmes fotografive. Martesa ishte organizuar nga familjarët e tyre. Prindërve të vajzës u ishte premtuar se bija e tyre do të kishte një jetë më të mirë në Zvicër. Një vajzë tjetër ishte vetëm 14 vjeçe, duke jetuar në varfëri dhe, sipas hetuesve, ishte shitur nga prindërit e saj te torturuesit për shumën e 300 eurove.

Gratë u izoluan dhe u kërcënuan me vdekje

Jeta më e mirë e supozuar doli të ishte kurth. Sipas aktakuzës, kryefamiljari Albrim F. (emër i ndryshuar) i kishte udhëzuar djemtë e tij se si t’i trajtonin “bashkëshortet” e tyre: me dhunë brutale fizike e psikologjike. Gratë vazhdimisht rriheshin, poshtëroheshin, kërcënoheshin me vdekje, izoloheshin dhe dhunoheshin nga anëtarët e familjes.

“Ai e goditi atë me rripin e vet më shumë se 20 herë” – thuhet në aktakuzën për njërin nga të pandehurit. “Edhe pse ajo ishte shtatzënë, ai e rrahu renë derisa ajo u gjakos dhe ia shtrëngoi fytin me të dyja duart”- thuhet më tej. Njëra nga viktimat detyrohej që t’ua pastronte këmbët vjehrrit dhe një kunati çdo mbrëmje. Aktakuza ka 30 faqe.

Grave rrallë u lejohej që të dilnin vetëm nga banesa dhe pothuajse nuk kishin kontakt me familjet e tyre në vendlindje. Ato duhej të bënin punë të shtëpisë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Pas 16 vjetëve në Zvicër, njëra nga gratë nuk mund të fliste një gjuhë kombëtare, ndodhej në Zvicër ilegalisht.

Viktimat më në fund janë në një vend të sigurt

Avokati Dominic Nellen përfaqëson dy gra në gjykatë dhe i ka shoqëruar ato për tre vjet. “Gratë janë të mbrojtura mirë nga sistemi gjyqësor, në një vend të sigurt”- tha ai për gazetën “Blick”. Avokati nuk mund të thotë asgjë për rreth dhjetë fëmijët e lindur në atë rreth, në mënyrë që t’i mbrojë ata.

Klientet e tij janë të traumatizuara rëndë. “Ato erdhën si të mitura, nganjëherë duke e kaluar kufirin e gjelbër. Ishin të detyruara që të ecnin nëpër pyll tërë natën dhe janë dhunuar nga bashkëshortët e tyre porsa kanë arritur. Kjo i ka thyer këto gra”, tha avokati.

Për avokatin është e qartë: prapa sjelljes çnjerëzore gjendet ligji zakonor shqiptar i kanunit. Në një periudhë, autoritetet morën vesh për këtë familje. “Shërbimi social filloi të vendoste kushte. Për shembull, që gratë duhej të ndiqnin kurse të gjuhës dhe të kërkonin një vend pune. Ato kuptuan se një abuzim i tillë nuk është normal. Para se autoritetet të vendosnin kushte, të gjithë jetonin nën një kulm”, thuhet më tej.

Të pandehurit e mohojnë fajin

Më 2019, gratë përfundimisht arritën që të arratiseshin – 16 vjet pas dërgimit të viktimës së parë në Zvicër. Sipas aktakuzës, në proces ishte përfshirë edhe një agjenci për mbrojtjen e viktimave.

Në aktakuzë gjithashtu tregohet se asnjëri prej të akuzuarve nuk kishte kaluar më shumë se një ditë prapa grilave. “Burrat mohojnë të kenë bërë ndonjë gjë ilegale. Gratë u pajtuan me gjithçka”, tha avokati i viktimave.

Të akuzuarit mund të dënohen për trafikim të qenieve njerëzore, martesë të detyrueshme, lëndim fizik, detyrim, dhunim seksual dhe akte seksuale me fëmijë. Prokuroria do ta bëjë të ditur dënimin që e kërkon gjatë seancës dëgjimore. Një avokat i njërit prej djemve ka thënë se ai dëshiron të kërkojë shfajësim. Të pandehurit e tjerë dhe avokatët e tyre nuk ishin të qasshëm për koment ose nuk kanë dashur të thonë asgjë.

Lajme të ngjashme