Bleu valixhe në ankand, brenda saj gjeti mbetje njerëzore - NACIONALE

Bleu valixhe në ankand, brenda saj gjeti mbetje njerëzore

1 vit më parë

nga NACIONALE

Policia e Zelandës së Re është duke zhvilluar hetime, pasi një familje gjeti mbetje njerëzore në valixhet që i bleu në një ankand.

Banorët e një shtëpie në South Auckland e bënë zbulimin tmerrues pas hapjes së valixheve të blera në rezidencën e tyre.

Autoritetet policore kanë nisur një hetim për vrasje dhe po përpiqen që t’i identifikojnë mbetjet. Besohet se familja nuk është e përfshirë në këtë incident.

Merret vesh se familja kishte shkuar në vendin ku ishte hapur ankandi dhe kishte blerë disa gjësende, përfshirë valixhet, nga një kompani lokale të enjten e kaluar.

Disa fqinj raportuan se kanë vërejtur një erë të keqe nga shtëpia para se policia të arrinte në vendin e ngjarjes.

Një banor, që dikur punonte në kremator, tha se era ishte menjëherë e njohur për të.

“E dita menjëherë dhe mendova se nga po vinte ajo”, tha ai, duke iu referuar shtëpisë së fqinjëve.

Një fqinje tjetër tha se djali i saj kishte parë një valixhe duke u shkarkuar nga një rimorkio dhe duke u vendosur në një tendë të ekipit të forenzikës, që ishte ngritur nga autoritetet afër shtëpisë.

Në pamjet e publikuara nga mediet lokale shihej një rimorkio e parkuar para oborrit të shtëpisë në një zonë gjysmëurbane në Clendon Park, përderisa policia po i kryente hetimet.

Zyrtarët policorë kanë thënë se prioritet është “që të konfirmohet identifikimi i personit të vdekur në mënyrë që ne të mund t’i përcaktojmë rrethanat prapa zbulimit”.

Ata shtuan se duke e marrë parasysh natyrën e zbulimit, do të marrë kohë derisa të informohen familjarët e personit, mbetjet e të cilit u gjetën në valixhe./Nacionale

Lajme të ngjashme