Blerja e armëve për luftën në Ukrainë fillon t’ua rrisë të hyrat prodhuesve amerikanë
Pushtimi rus i Ukrainës më 2022 ka filluar që t’i rrisë të hyrat e kontraktorëve të mbrojtjes, pasi klientët si qeveria amerikane po i zëvendësojnë rezervat që ia kanë dhuruar Ukrainës, ndërsa shtetet evropiane po armatosen nga frika e agresionit të Moskës.
Kontraktorët amerikanë të armëve, si “Lockheed Martin”, “General Motors” e të tjerë, presin që porositë e tanishme për qindra mijëra predha, qindra sisteme raketore “Patriot” e shtimi i porosive për automjete të blinduara muajve të ardhshëm do t’i përforcojë rezultatet e tyre gjatë tremujorëve të ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.
Kontratat e reja për ta furnizuar Ukrainën drejtpërdrejt – ose për t’i plotësuar boshllëqet e armëve amerikane që janë dërguar në Ukrainë – u nënshkruan në fund të vitit të kaluar dhe tani të hyrat po rrjedhin drejt kontraktorëve të mëdhenj të mbrojtjes. Prodhuesit “Lockheed”, “General Dynamics” dhe RTX raportuan rezultate më të mira se që prisnin gjatë ditëve të fundit dhe shefat e tyre presin që konflikti në Ukrainë e lufta e Izraelit me Hamasit ta shtojnë kërkesën afatshkurtër për armë.
“Kemi shkuar nga 14 mijë predha (artilerie) në muaj në 20 mijë në muaj shumë shpejt. Po punojmë para afatit për ta përshpejtuar kapacitetin prodhues deri në 85 mijë (predha në muaj), madje deri në 100 mijë predha në muaj”- tha Jason Aiken, kryeshef financiar në kompaninë “General Dynamics”.
“Mendoj se situata e Izraelit vetëm do të bëjë presion në rritje ndaj kësaj kërkese (për blerje të armëve)”- shtoi ai në një bisedë me analistët e “Wall Street”-it të mërkurën.
Njësia e Sistemeve Luftarake e prodhuesit “General Dynamics”, që prodhon automjete të blinduara, tanke e artileri që i përdor Ukraina, gëzoi rritje prej gati 25 për qind të të ardhurave në krahasim me periudhën e njëjtë para një viti.
Gjatë kërkesës më të re për 106 miliardë dollarë shtesë për Ukrainën, Izraelin, rajonin e Indo-Paqësorit dhe organet për kontrollimin e kufirit, presidenti amerikan, Joe Biden, tha më 20 tetor se disa prej kërkesave për furnizim do të shkojnë për kompanitë që e plotësojnë prodhimin e armëve amerikane që dërgohen jashtë vendit.
