Bideni e dorëzon në Kongres kërkesën 105-miliardëshe, më shumë se gjysma për Ukrainën - NACIONALE

Bideni e dorëzon në Kongres kërkesën 105-miliardëshe, më shumë se gjysma për Ukrainën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka kërkuar nga Kongresi që të miratojë një pako masive të sigurisë prej 105 miliardë dollarësh, në të cilën përfshihen 61 miliardë dollarë për Ukrainën e 14 miliardë dollar për Izraelin.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se kjo kërkesë për fonde është e nevojshme për ta avancuar sigurinë kombëtare dhe për t’i mbështetur aleatët e partnerët e Shteteve të Bashkuara, raporton Radio “Evropa e Lirë”.

Më tej, në deklaratë thuhet se këto fonde nënkuptojnë se Izraeli do të marrë ndihmë për ta siguruar lirimin e pengjeve dhe për t’ua zgjatur asistencën humanitare civilëve të prekur nga luftimet, të cilat shpërthyen pas “sulmit të tmerrshëm terrorist nga Hamasi”.

Kërkesa për Ukrainën do të ofrojë trajnime, pajisje dhe armë të nevojshme për ta ndihmuar këtë shtet që “ta mbrojë dhe ta rimarrë territorin e saj sovran dhe ta mbrojë popullin ukrainas kundër agresionit rus”, shtohet në deklaratë.

Bideni e përgatiti terrenin për këtë kërkesë gjatë një fjalimi të mbajtur të enjten, në të cilin tha se pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe veprimet e militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, që e sulmuan Izraelin këtë muaj, janë rreziqe ndaj demokracisë globale.

“Hamasi dhe Putini përfaqësojnë rreziqe të ndryshme, por e kanë këtë të përbashkët: të dy duan që të asgjësojnë një demokraci fqinje”- tha presidenti amerikan, duke shtuar se këto fonde janë “investim i zgjuar” dhe se “do të paguajnë dividendë për sigurinë amerikane me gjenerata”.

Kremlini reagoi kundër “retorikës” së Bidenit, duke thënë se ajo “vështirë se u përshtatet udhëheqësve të përgjegjshëm shtetërorë dhe retorika e tillë zor se është e pranueshme për ne”.

Para fjalimit, Shtëpia e Bardhë tha se Bideni kishte biseduar me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, për ta ritheksuar mbështetjen e Uashingtonit për Kievin përballë pushtimit rus, të nisur në shkurt të vitit 2022.

Më pas, Zelensky e falënderoi Bidenin për “fjalimin e fuqishëm”. “Së bashku, nuk do të lejojmë që urrejtja ta shkatërrojë lirinë dhe nuk do t’i lejojmë terroristët që ta shkatërrojnë demokracinë. Qëllimi ynë i përbashkët është që ta mbrojmë mënyrën e lirë të jetesës për të gjitha kombet tona”- shkroi ai në rrjetin X.

Lajme të ngjashme