Bjellorusia thotë se ka rrëzuar një raketë S-300 të Ukrainës - NACIONALE

Bjellorusia thotë se ka rrëzuar një raketë S-300 të Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha se sistemi i mbrojtjes ajrore i saj ka rrëzuar një raketë ukrainase të tipit S-300 në rajonin kufitar, Brest, rreth orës 10 paradite të enjten.

Agjencia shtetërore e lajmeve, BelTa, më herët ka raportuar se një raketë ukrainase e sistemit S-300 ka rënë në territorin bjellorus gjatë njërit prej sulmeve më të gjera me raketa të Rusisë kundër Ukrainës që nga fillimi i luftës.

Kjo agjenci tha se Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë është duke zhvilluar hetime për të zbuluar nëse raketa është rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore ose nëse ka qenë hedhje e gabuar.

Më herët, shefi i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov, i shpërfilli aktivitetet e Rusisë në Bjellorusi, përfshirë lëvizjen e mijëra trupave, duke i cilësuar si përpjekje për ta detyruar Ukrainën që t’i zhvendosë ushtarët nga fushat e betejës në jug e në lindje për në pjesën veriore të vendit.

Ai tha se rishtazi, një tren i mbushur me ushtarë rusë është ndalur në një vend afër kufirit të Bjellorusisë me Ukrainën dhe është kthyer, prapë i mbushur, disa orë më vonë.

Bjellorusia është përdorur nga forcat ruse si vendnisje për sulme, por Budanovi beson se shoqëria bjelloruse nuk do të përkrahte ndonjë përfshirje të mëtejme në luftë, ndërsa analistët e kanë vënë në pikëpyetje nivelin e gatishmërisë së ushtrisë me 48 mijë ushtarë.

“Për këtë arsye, presidenti Lukashenko është duke i ndërmarrë të gjithë hapat për të parandaluar një fatkeqësi për vendin e tij”- tha Budanovi.

Lajme të ngjashme