Bisedime e luftime - Përmbledhje e zhvillimeve kryesore nga lufta në Ukrainë
Sirenat e alarmit tingëlluan në pjesë të ndryshme të Ukrainës para agimit të martën, kur delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë po përgatiteshin për t’u takuar në Turqi për rundin e ri të bisedimeve. Kievi pritet të kërkojë armëpushim pa bërë kompromis për territorin dhe sovranitetin.
Luftimet
Rusia po i vazhdon sulmet me raketa dhe bomba në përpjekje për t’i shkatërruar tërësisht infrastrukturën dhe zonat e banimit të qyteteve ukrainase, sipas Shtabit të Përgjithshëm të forcave ukrainase.
Rusia tha se ka shkatërruar depo të mëdha të armëve në rajonin Zhytomyr dhe ka goditur 41 zona ushtarake ukrainase gjatë 24 orëve të fundit.
Ukraina tha se e ka kthyer kontrollin në Irpin, afër Kievit. Një zyrtar amerikan tha se qyteza lindore, Trostyanets, në jug të qytetit Sumy, gjithashtu është kthyer në duart e ukrainasve. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që t’i verifikojë këto raportime.
Punëtorët në Çernobil kanë thënë se ushtarët rusë kanë drejtuar automjete të blinduara pa mbrojtje nga rrezatimi nëpër zonën shumë helmuese, të quajtur “Pylli i Kuq”.
Bisedimet dhe Diplomacia
Miliarderi rus, Roman Abramovich, dhe negociatorët ukrainas përjetuan simptoma të dyshimta të helmimit pas një takimi me palën ruse, raportoi gazeta amerikane, “The Wall Street Journal”. Megjithatë, një zyrtar amerikan dhe inteligjenca lënë të kuptohet se simptomat u shkaktuan për shkak të një faktori të mjedisit, jo për shkak të helmimit.
Kremlini tha se komenti i presidentit amerikan, Joe Biden, se Putini “nuk mund të mbetet në pushtet” është shkak për alarm. Bideni tha se ky koment e pasqyron zemërimin e tij moral e jo ndërrim të politikës së Shteteve të Bashkuara.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje vendeve perëndimore që t’i ashpërsojnë sanksionet ndaj Rusisë, përfshirë embargon ndaj naftës ruse.
Civilët
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se 1.119 civilë janë vrarë dhe 1.790 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i sulmeve ruse në fund të muajit të kaluar.
Rreth 5.000 njerëz, përfshirë rreth 210 fëmijë, janë vrarë në qytetin e rrethuar nga rusët, Mariupol, tha zëdhënësi i kryetarit të këtij qyteti.
Ekonomia
Rusia tha se nuk do ta furnizojë Evropën me Gazë falas ndërsa po i hulumton metodat për pranimin e pagesave për eksportin e gazit të saj në rubla. Vendet e Grupit G7 e kanë refuzuar këtë kërkesë.
Disa zyrtarë amerikanë dhe gjermanë pritet të takohen në Berlin këtë javë me shefat e industrisë së energjisë për të diskutuar rreth mënyrave për fuqizimin e furnizimeve alternative për Gjermaninë.
Pushtimi rus i ka kushtuar Ukrainës 564.9 miliardë dollarë në aspektin e dëmtimit të infrastrukturës, humbjes së rritjes ekonomike dhe faktorëve të tjerë, tha ministri ukrainas i Ekonomisë.
Citatet
“Nuk do të tregtojmë njerëz, tokë ose sovraniteti”, tha kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, duke iu referuar bisedimeve me rusët në Turqi.
“Ne e kemi shkatërruar mitin për ushtrinë e pamposhtshme ruse”, tha kryetari i Kievit, Vitali Kliçko./Nacionale