Bideni thotë se së shpejti do ta publikojë kandidaturën për mandatin e ri - NACIONALE

Bideni thotë se së shpejti do ta publikojë kandidaturën për mandatin e ri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të premten se ka vendosur që të garojë për mandatin e dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe se do ta hapë fushatën relativisht së shpejti.

“Do ta njoftojmë atë relativisht së shpejti, por udhëtimi këtu (në Irlandë) vetëm ma përforcoi ndjenjën time të optimizmit për atë që mund të bëhet. Ju tregova që plani im është që të garoj përsëri”- tha presidenti amerikan para gazetarëve në Irlandë, raporton agjencia “Reuters”.

Bideni për një kohë të gjatë ka thënë se synon të kandidojë përsëri në zgjedhje, por mungesa e njoftimit zyrtar nganjëherë i ka shqetësuar përkrahësit e tij, të cilët nuk ishin të sigurt nëse demokrati 80-vjeçar, njëri nga udhëheqësit më të moshuar në botë, do t’i përkushtohej vërtet një mandati tjetër 4-vjeçar.

Megjithatë, prapa skenës, ndihmës dhe aleatë të afërm të Bidenit tashmë kanë filluar që të bëjnë hapa për ndërtimin e infrastrukturës së fushatës dhe aparatit për grumbullimin e fondeve para zgjedhjeve të vitit 2024, të cilat mund ta sjellin ballafaqimin e njëjtë me atë të garës së vitit 2020 – Bideni kundër Trumpit, i cili tashmë e ka shpallur kandidaturën.

Motoja e Bidenit pritet të jetë “përfundimi i punëve” pas mandatit të parë, në të cilin u përfshinë disa fitore legjislative, përfshirë ndarjen e miliarda dollarëve për rimëkëmbje pas pandemisë dhe për investime në infrastrukturë.

Megjithatë, mosha e Bidenit e bën kandidaturën e tij lojë historike dhe të rrezikshme për Partinë Demokratike, e cila ballafaqohet me një hartë të vështirë të zgjedhjeve për ta mbajtur nën kontroll Senatin më 2024, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve është pakicë. Përkrahja e publikut për Bidenin është diçka mbi 40 për qind, sipas anketave.

Pas një ekzaminimi në shkurt, mjekët e shpallën Bidenin të aftë për detyrë. Ai nuk pi alkool dhe bën ushtrime pesë herë në javë. Shtëpia e Bardhë thotë se e kaluara e tij tregon që ai është mjaftueshëm i mprehtë mendërisht për ashpërsinë e detyrës që e ka.

Lajme të ngjashme