Bideni thotë se është arritur marrëveshje provizore me punëtorët, shmanget greva
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të enjten se është arritur një marrëveshje provizore me punëtorët e transportit hekurudhor, duke shmangur një grevë që do të ishte shkatërruese për ekonominë para zgjedhjeve të rëndësishme të mesit të mandatit.
Bideni zhvilloi një bisedë telefonike me sekretarin e Punës, Mart Walsh, në orën 21, kur bisedimet ishin duke u zhvilluar pas shërbimit të darkës me ushqim italian, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, i cili foli me agjencinë “Associated Press” në kushte anonimiteti për t’i diskutuar bisedimet e mbyllura për publikun. Presidenti kërkoi nga sindikatat që ta marrin parasysh dëmin që do t’u shkaktohej familjeve, bujqve dhe bizneseve, nëse do të ndërpritej transporti.
Rezultat i bisedimeve ishte një marrëveshje provizore, e cila do të votohet nga anëtarët e sindikatave pas periudhës pas ratifikimit prej disa javësh.
“Këta punëtorë të hekurudhave do të marrin pagë më të mirë, kushte të përmirësuara të punës dhe paqe të mendjes për kostot e tyre për kujdes shëndetësor: të gjitha të fituara me mund”, tha presidenti amerikan.
“Marrëveshja është gjithashtu fitore për kompanitë e hekurudhave, që do të mund të mbajnë dhe të rekrutojnë më shumë punëtorë për një industri që do të vazhdojë të jetë pjesë e kurrizit të ekonomisë amerikane për dekadat e ardhshme”, shtoi ai.
Punëtorët e hekurudhave kanë mbetur pa rritje page që tre vjet për shkak të një mosmarrëveshjeje për kontratë, ndërsa kompanitë e transportit hekurudhor kanë shënuar fitim të fuqishëm.
Në bisedimet e tanishme, industria e hekurudhave ka ofruar rritje vjetore të pagave nga viti 2020 deri më 2024, të barabartë me një rritje të përgjithshme prej 24 për qind. Tri nga 12 sindikatat, që përfaqësojnë rreth gjysmën e 115.000 punëtorëve të prekur nga bisedimet, po kërkojnë kushte më të mira për punë.
Sindikatat po gëzojnë rritje të përkrahjes nga publiku dhe punëtorët pas pandemisë, kur punëtorët “esencialë” ishin të rrezikuar nga ekspozimi ndaj sëmundjes Covid-19 për ta mbajtur qarkullimin e mallrave dhe punëdhënësit kanë siguruar fitim të majmë, thonë ekspertët e punës dhe të korporatave.
Ndërprerja e punës do të mund të bllokonte gati 30 për qind të dërgesave të mallrave në ShBA, që do t’i kushtonte ekonomisë amerikane deri në 2 miliardë dollarë në ditë dhe do të shkaktonte një grumbull problemesh në transport, që do t’i preknin energjinë, bujqësinë, prodhimin dhe shitjet me pakicë./Nacionale
