Bideni mësa duket “ngrihet” prapë, Obama e rrok për dore – Shtëpia e Bardhë mohon
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, i ka akuzuar kundërshtarët e tij për shpërndarje të dezinformatave rreth gjendjes së tij fizike dhe mendore, pasi një varg i ri i videove i riktheu shqetësimet për moshën e kandidatit demokrat për president në zgjedhjet e nëntorit.
Në një konferencë për gazetarë të hënën, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se spotet që gjoja e shfaqin rënien e shkathtësive të Bidenit ishin ndryshuar në mënyrë mashtruese ose ishin keqinterpretuar, raporton televizioni “Al Jazeera”.
“Kjo ju tregon gjithçka që duhet të dimë se sa të dëshpëruar janë republikanët këtu” – tha Jean-Pierre, duke i cilësuar si “rrena të lira” videot.
Në një tubim për grumbullim të fondeve, që u mbajt në fundjavë në Los Angeles, presidenti Biden shihet duke i përshëndetur përkrahësit në një skenë, bashkë me ish-presidentin Barack Obama.
Sidoqoftë, për një çast Bideni nuk lëviz për disa sekonda dhe mbetet me shikim nga audienca.
Kur Obama e vëren, e kap në dorë dhe të dy nisen drejt daljes për t’u larguar nga skena.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan merr vëmendje për sjellje të ngjashme.
Lexoni edhe: Të gjithë po e shijonin muzikën, Bideni "ngrihet" dhe shikon i përhumbur
Para disa ditëve, në kuadër të samitit të Grupit G7 në Itali, Bideni u nda nga grupi i udhëheqësve dhe u drejtua nga parashutistët, duke e detyruar kryeministren italiane, Giorgia Meloni, që t'ia tërhiqte vëmendjen dhe të kthehej për të dëgjuar një oficer tek shpjegonte diçka.