Bideni me kënaqëshmërinë më të ulët para rikandidimit që nga Johnsoni më 1968 - NACIONALE

Bideni me kënaqëshmërinë më të ulët para rikandidimit që nga Johnsoni më 1968

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka shpallur kandidaturën për mandatin e dytë si president. Megjithatë, kënaqshmëria e popullit për punën e tij, sipas anketave, është ndër nivelet më të ulëta në pesë dekada e gjysmë.

Bideni e shpalli kandidaturën për rizgjedhje më 25 prill. Muajin paraprak, kënaqshmëria për punën e tij ishte 40 për qind. Nëse fiton përsëri dhe e çon deri në fund mandatin e dytë, ai do të jetë 86 vjeç në fund të mandatit. Ka frikë se kjo moshë është shumë e shtyrë për ta mbajtur detyrën me përgjegjësi të madhe.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, kishte njoftuar se do të garonte përsëri në zgjedhje më 18 qershor 2019. Muajin paraprak, niveli i kënaqshmërisë për punën e tij ishte 41 për qind. Pandemia e kishte goditur ekonominë më vonë dhe Trumpi ishte hetuar për një çështje tjetër. Ai i humbi zgjedhjet e vitit 2020.

Ish-presidenti tjetër, Barack Obama, kishte nivel prej 48 për qind të kënaqshmërisë së popullit për punën e tij, kur e kishte shpallur kandidaturën për mandatin e dytë më 4 prill 2011. Ai e kishte mposhtur republikanin Mitt Romney, raporton agjencia “Associated Press”.

Niveli i kënaqshmërisë për ish-presidentin George W. Bush më 16 maj 2003, kur kishte njoftuar se do të rikandidonte, ishte 69 për qind. Ky numër ishte 47 për qind për ish-presidentin Bill Clinton më 1995.

Kënaqshmëri më të ulët kishte ish-presidenti Lyndon Johnson më 1968 - vetëm 36 për qind.

Lajme të ngjashme