Bideni i "ha fjalët", e miraton ndërtimin e një pjese të re të murit kufitar, si Trumpi - NACIONALE

Bideni i "ha fjalët", e miraton ndërtimin e një pjese të re të murit kufitar, si Trumpi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit Joe Biden të Shteteve të Bashkuara do të ndërtojë një sektor të ri të murit kufitar në jug të Teksasit, përgjatë kufirit me Meksikën, në përpjekje për ta ndalur rritjen e numrit të emigrantëve që synojnë të hyjnë në territorin e ShBA-së.

Rreth 32 kilometra mur do të ndërtohen në distriktin Starr, përgjatë kufirit me Meksikën, ku zyrtarët raportojnë për numër të lartë të kalimeve të kufirit, shkruan televizioni BBC.

Ndërtimi i murit kufitar ishte politikë e dalluar e ish-presidentit Donald Trump dhe kundërshtohej ashpër nga Partia Demokratike e presidentit Biden.

Në vitin 2020, Bideni kishte premtuar se nuk do të ndërtonte asnjë hap tjetër të murit, nëse do të zgjidhej president.

Në një deklaratë për agjencinë “Associated Press” të mërkurën natën, Dogana dhe Mbrojtja e Kufirit e ShBA-së e mbrojti vendimin e ri, duke thënë se ishte duke shfrytëzuar fonde që tashmë ishin ndarë për ndërtimin e një pengese kufitare.

Rritja e numrit të kalimeve ilegale të kufirit e kanë bërë këtë çështje të ndjeshme për presidentin. Më shumë se 245 mijë raste të kalimit të kufirit kanë ndodhur këtë vit, sipas të dhënave qeveritare, ndërsa shtatori pritet të jetë muaj rekord në këtë aspekt.

Zyrtarët në disa qytete amerikane thonë se po e ndiejnë presionin e ardhjeve masive. Kryetari i Nju-Jorkut, Eric Adams, ka parashikuar se kostoja e strehimit të më shumë se 100 mijë të ardhurve të rinj nga viti i kaluar do të shkojë në 12 miliardë dollarë gjatë tri viteve të ardhshme.

Departamenti i Sigurisë së Atdheut tha se do t’i përdorë fondet e siguruara gjatë presidencës së Donald Trumpit për ta ndërtuar pjesën e re të murit kufitar.

Kjo është hera e parë që administrata e Bidenit i ka shfrytëzuar kompetencat e saj për ta miratuar ndërtimin e pjesëve të reja të murit – diçka që ishte bërë shpesh gjatë pushtetit të Trumpit, kur ishin ndërtuar rreth 720 kilometra pengesë kufitare.

Lajme të ngjashme