Bideni i godet Elon Musk-un dhe Twitter-in: Kompani që derdh rrena në tërë botën - NACIONALE

Bideni i godet Elon Musk-un dhe Twitter-in: Kompani që derdh rrena në tërë botën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të premten e kritikoi miliarderin amerikan, Elon Musk, duke thënë se ai ka blerë një rrjet social që “derdh gënjeshtra në mbarë botën”.

“Elon Musk-u shkon e blen një kompani që derdh rrena në mbarë botën. Nuk ka redaktorë më në Amerikë”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë në Illinois gjatë një tubimi për mbledhjen e fondeve për Partinë Demokratike.

Komenti i presidentit erdhi pas lajmit të së premtes se Twitter-i ka larguar mijëra punëtorë nga kompania, masë e ashpër për zvogëlimin e kostove, që mund ta përmbys mënyrën se si operon njëra nga platformat më me ndikim në botë, një javë pas rënies në duart e miliarderit Musk.

Pas blerjes, shpejt dolën raportime për shtim të komenteve raciste dhe gjuhës së urrejtjes në këtë rrjet. Disa kompani të rëndësishme i ndërprenë fushatat e tyre reklamuese ditëve të fundit në Twitter.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve më herët të premten se Bideni ka qenë “i sinqertë për rëndësinë që platformat e rrjeteve sociale të vazhdojë të ndërmarrin hapa për t’i pakësuar gjuhën e urrejtjes dhe keqinformimin”, raporton televizioni CNN.

“Ky besim shkon deri te Twitter-i, shkon deri te Facebook-u dhe te cilado platformë e rrjeteve sociale, ku përdoruesit mund të shpërndajnë keqinformim”, vazhdoi ajo.

Pak pas daljes së lajmit për blerjen e Twitter-it javën e kaluar, Elon Musk shkroi një letër të hapur në përpjekje për t’i siguruar reklamuesit se ai nuk dëshiron që ky rrjet social të bëhet “skëterrë e lirë për të gjithë”.

Të premten në mëngjes, ai shkroi në Twitter se ka parë një rënie masive të të hyrave, për të cilën i fajësoi “grupet e aktivistëve që po u bëjnë presion reklamuesve” dhe më vonë shkroi për shkarkimet nga puna, duke thënë se “fatkeqësisht, nuk ka zgjedhje, kur kompania është duke humbur nga katër milionë dollarë në ditë”./Nacionale

Lajme të ngjashme