Bideni i ashpër në fjalimin vjetor, e akuzon Trumpin për përkulje para Putinit - NACIONALE

Bideni i ashpër në fjalimin vjetor, e akuzon Trumpin për përkulje para Putinit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të enjten e mbajti fjalimin vjetor që njihet si “State of the Union”, duke mbuluar një numër temash. Ai e kritikoi paraardhësin e tij, Donald Trump, dhe e theksoi rëndësinë e mbrojtjes së jetës së civilëve në Gaza.

Gjatë fjalimit, Bideni konfirmoi se ushtria amerikane do të hapë një bazë të përkohshme në bregdetin e Gazës, ku do të pranohet sasi e madhe e dërgesave me ushqim, ujë e ilaçe. Ai u zotua se në këtë mision nuk do të përfshihet dislokimi i ushtarëve amerikanë në terren, raporton gazeta “The Guardian”.

Edhe pse e përsëriti qëndrimin e tij se Izraeli ka të drejtë për ta mbrojtur veten kundër Hamasit, Bideni e dënoi krizën humanitare në Gaza, ku mbi 30 mijë palestinesë raportohet se janë vrarë nga sulmet izraelite.

"Izraelit ia them këtë: asistenca humanitare nuk mund të jetë konsideratë e dytë ose mjet për Pazar. Mbrojtja dhe shpëtimi i jetëve të pafajshme duhet të jetë prioritet. Përderisa shikojmë nga e ardhmja, zgjidhja e vetme e vërtetë ndaj situatës është një zgjidhje me dy shtete me kalimin e kohës" - tha ai.

Gjatë fjalimit, presidenti iu referua Trumpit vazhdimisht si “paraardhësi im” dhe i kritikoi pikëpamjet e tij në disa fusha, nga politika e jashtme, te reforma për migrimin.

Duke e hapur fjalimin me mbrojtje të fuqishme për aleatët e ShBA-së jashtë vendit, Bideni i bëri thirrje Kongresit që të miratojë më shumë fonde për Ukrainën në kohën e luftës së saj kundër Rusisë dhe i dënoi komentet që Trumpi i ka bërë rishtazi për NATO-n.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e krahasoi këtë periudhë me vitin 1941, kur ShBA-ja qëndronte buzë hyrjes në Luftën e Dytë Botërore, dhe vazhdimisht u solli ndër mend amerikanëve se “historia po shikon” se si një komb do të reagojë ndaj krizave që po shpalosen nëpër botë. Përderisa foli për dhunën vdekjeprurëse gjatë sulmit ndaj Capitol-it më 6 janar 2021, Bideni paralajmëroi se demokracia ballafaqohet me një kërcënim themelor.

“Liria dhe demokracia jonë nuk kanë qenë nën sulm siç janë sot që nga (koha e) presidentit Lincoln dhe Lufta Civile” – tha presidenti amerikan. “Ajo që e bën momentin tonë të rrallë, është që liria dhe demokracia janë nën sulm edhe brenda vendit, edhe jashtë mu në të njëjtën kohë” – shtoi ai.

Ai pastaj e akuzoi Trumpin për “përkulje” para presidentit rus, Vladimir Putin, pasi ish-presidenti amerikan ka thënë se do ta lejonte Rusinë që “të bënte çfarëdo dreqin që ata duan” ndaj vendeve të NATO-s që dështojnë të dhurojnë kontribute të mjaftueshme financiare për aleancën.

“Është e rrezikshme dhe është e papranueshme” – tha Bideni. “Porosia ime për presidentin Putin, të cilin e njoh për kohë të gjatë, është e thjeshtë. Ne nuk do të largohemi. Ne nuk do të përkulemi. Unë nuk do të përkulem” - shtoi ai.

Lajme të ngjashme