Bideni e shtyn takimin me Stoltenbergun shkaku i një ndërhyrjeje të paplanifikuar shëndetësore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u detyrua që t’i anulonte aktivitetet e planifikuara për të hënën – përfshirë takimin me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg – për shkak të një ndërhyrjeje të paplanifikuar në dhëmb.
Shtëpia e Bardhë tha se procedura ka përfunduar me sukses në mesditë dhe se presidenti është mirë, raporton televizioni CNN.
Presidenti fillimisht nisi që të përjetonte dhimbje në një paradhëmballë të dielën. Mjeku i tij, Walter O’Connor, tha se një ekip i Qendrës Mjekësore Ushtarake Kombëtare “Walter Reed” kreu një ekzaminim, përfshirë përdorimin e rrezeve x dhe rekomandoi një procedurë për pastrimin e kanalit të dhëmbit. Ekipi e kreu pjesën fillestare të procedurës të dielën.
Pas mungesës së rehatisë këtë mëngjes, shkroi mjeku, ekipi i specializuar planifikoi që ta kompletonte procedurën e pastrimit të kanalit në Shtëpinë e Bardhë të hënën. O’Connor tha se mungesa e rehatisë ishte e pritshme.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se ekipi mjekësor nuk ishte duke planifikuar që të përdorte anestezion të përgjithshëm për këtë procedurë dhe se Amendamenti i 25-të për transferimin e pushtetit te nënpresidentja nuk është zbatuar.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë tha se presidentit Biden i është dhënë anestezion lokal.