Bideni e paralajmëron Izraelin kundër ofensivës në Rafah - NACIONALE

Bideni e paralajmëron Izraelin kundër ofensivës në Rafah

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se ofensiva e Izraelit në Rafah të Gazës “nuk duhet të shkojë përpara pa një plan të besueshëm për garantimin e sigurisë” së më shumë se një milion palestinezëve që po strehohen atje.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se shumë njerëz të zhvendosur në qytetin jugor të Gazës janë “të shpërfaqur dhe të cenueshëm” dhe kanë nevojë për t’u mbrojtur, raporton televizioni BBC.

Shefi i agjencisë së OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, thotë se çfarëdo sulmi do të ishte “tmerrues” dhe se shumë civilë “me gjasë do të vriteshin”.

Presidenti amerikan përsëri bëri apel për mbrojtjen e civilëve në Rafah pas takimit të tij me mbretin Abdullah të Jordanisë në Uashington të hënën.

“Shumë njerëz janë zhvendosur, janë zhvendosur disa herë, duke ikur nga dhuna në veri dhe tani të dyndur në Rafa, të shpërfaqur e të cenueshëm” – tha Bideni.

“Ata kanë nevojë për t’u mbrojtur dhe ne gjithashtu kemi qenë të qartë nga fillimi, ne kundërshtojmë çfarëdo zhvendosje të detyruar të palestinezëve nga Gaza” – shtoi ai.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë tha se nuk do të përkrahte operacione të mëdha izraelite në Rafah pa shqyrtimin e duhur për refugjatët atje.

Shumë njerëz kanë ikur nga operacioni tokësor izraelit në pjesën tjetër të Rripit të Gazës. Disa shtete e organizata ndërkombëtare tashmë e kanë paralajmëruar Izraelin kundër nisjes së ofensivës së planifikuar në Rafah.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, të hënën tha se Izraeli duhet “të ndalet dhe të mendojë seriozisht” para se të ndërmarrë veprime të mëtejshme në Rafah.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka thënë thirrje aleatëve të Izraelit që ta ndërpresin dërgimin e armëve në këtë shtet, sepse “tepër shumë njerëz” po vriten në Gaza.

Udhëheqësit e Gazës, anëtarë të grupit Hamas, kanë thënë se nga operacioni izraelit mund të vriten “dhjetëra mijëra” njerëz, duke paralajmëruar se çfarëdo operacioni gjithashtu do t’i minonte bisedimet për lirimin e mundshëm të pengjeve izraelite që po mbahen ende në enklavën palestineze.

Të hënën, Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që menaxhohet nga Hamasi, tha se 164 njerëz ishin vrarë e 200 të tjerë ishin lënduar në enklavë për 24 orë. Sipas kësaj ministrie, nga fillimi i luftës janë vrarë 28 mijë e 340 njerëz, ndërsa gati 68 mijë të tjerë janë plagosur./Nacionale

Lajme të ngjashme