Bideni e autorizon Pentagonin për të dërguar deri në tre mijë ushtarë rezervë në Evropë
Presidenti amerikan, Joe Biden, e autorizoi Pentagonin të enjten për të dërguar deri në tre mijë pjesëtarë të forcave rezervë në Evropë, kur lufta e Rusisë në Ukrainë po vazhdon.
Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se 100 mijë ushtarë në Evropë dhe ky numër është rritur që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurtin e vitit të kaluar, raporton televizioni CNN.
Sipas autorizimit të ri, rezervistët do të jenë pjesë e Operacionit “Vendosmëria e Atlantikut”, që përbën dislokime të vazhdueshme që e fuqizojnë NATO-n, më saktësisht shtetet lindore të aleancës. Në urdhrin e ri ekzekutiv, Operacioni “Vendosmëria e Atlantikut” përcaktohet si operacion kontingjenti, gjë që ua jep rezervistëve të njëjtat përfitime si ato që i kanë ushtarët në detyrë aktive.
Asnjë ushtar amerikan nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë, sepse Kievi nuk është pjesë e NATO-s.
“Ky cilësim i ri është përfitim për trupat dhe familjet me rritje në autoritete, të drejta dhe qasje në forcat dhe personelin përbërës të Rezervës”- tha në një konferencë për gazetarë drejtori i operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm, Gjeneral Lejtnant Douglas Sims.
Ky vendim i jep Departamentit të Mbrojtjes një opsion tjetër për të dërguar më shumë kapacitete për ta ndihmuar Komandën Evropiane të ShBA-së, por një zyrtar i mbrojtjes tha se ka gjasa që do të nevojiten rreth gjashtë muaj që këta rezervistë të dërgohen për shkak të njoftimit paraprak që kërkohet.
Trupat shtesë, me gjasë, do të punojnë në logjistikë dhe qëndrueshmëri ose në fusha mjekësore, si stomatologjia ose kujdesi shëndetësor – role që rezervistët i kanë zakonisht më shumë se forcat e rregullta.
Nga viti 2014, forca amerikane janë dërguar në Evropë sipas Operacionit “Vendosmëria e Atlantikut” për të punuar me aleatë e partnerë në rajon. Sekretari për shtyp i Pentagonit, Patrick Ryder, shtoi se cilësimi i ri do t’i mundësojë Departamentit të Mbrojtjes që të ofrojë përkrahje më të mirë të sistemit dhe t’i mbështesë forcat.
