Biden miraton projektin e diskutueshëm për nxjerrje të naftës në Alaskë
Administrata e Joe Biden ka miratuar një projekt të diskutueshëm shpimi për nxjerrje nafte dhe gazi, prej 8 miliardë dollarësh Alaskë, duke tërhequr kundërshtimin e ashpër nga ambientalistët dhe komunitete vendase të Alaskës.
Sipas mediave amerikane, projekti ConocoPhillips Willow do të jetë një nga më të mëdhenjtë e këtij lloji në tokën amerikane, dhe do të përfshijë shpime për naftë dhe gaz në tre lokacione për dekada në vazhdim.
Është bërë e ditur se nga ky projekt, do të prodhohen rreth 576 milion fuçi nafte gjatë 30 viteve, me një kulm prej 180 mijë fuçi naftë të papërpunuar në ditë.
ConocoPhillips ka thënë se për realizim të projektit mund të nevojitet ringrirja e Arktikut në zonat e shpimeve, proces ky që do të krijonte një nga “bombat e karbonit” më të mëdha në tokën amerikane, duke prodhuar potencialisht dy herë më shumë emetime se të gjitha projektet e energjisë së rinovueshme. Prandaj, ky miratim është pritur me zemërim midis aktivistëve mjedisorë dhe përfaqësuesve vendas, të cilët thonë se minon fatalisht axhendën klimatike të Joe Biden, pasi në tërësi, projekti pritet të krijojë rreth 260 milion ton gazra serë gjatë jetëgjatësisë së tij, ekuivalente me krijimin e rreth 70 termocentraleve të reja me qymyr.
Bëhet e ditur se në kundërshtim të këtij projekti Shtëpisë së Bardhë i janë dërguar më shumë se një milion letra, një peticion Change.org me më shumë se 3 milion nënshkrues dhe është zhvilluar një fushatë virale #stopëilloë në TikTok e në mediat sociale.
