Beter në Turqi: Gjykata e apelit, e përkrahur nga Erdogani, i padit gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese - NACIONALE

Beter në Turqi: Gjykata e apelit, e përkrahur nga Erdogani, i padit gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Turqia është buzë një krize të sistemit të drejtësisë, pasi presidenti Rexhep Erdogan e kritikoi Gjykatën Kushtetuese për “shumë gabime” dhe u bëri thirrje anëtarëve të partisë së tij që ta përkrahin sfidimin e pashembullt të saj nga Gjykata e Anulimit.

Sipas komenteve të bëra të enjten vonë, Erdogani u përfshi në një debat në rritje për sundimin e ligjit, pasi Gjykata e Anulimit, që e ka funksionin e një gjykate apeli, paraqiti padi kundër gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të mërkurën, raporton agjencia “Reuters”.

“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese ka bërë shumë gabime radhazi në këtë pikë, gjë që seriozisht na pikëllon ne”- u tha gazetarëve Erdogani gjatë kthimit me aeroplan nga Uzbekistani, sipas tekstit të intervistës së publikuar nga zyra e tij të premten.

Gjykata më e lartë e apelit, e njohur si “Yargitay”, tha në ankesën e saj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese muajin e kaluar në favor të lirimit të deputetit të burgosur, Can Atalay, ishte antikushtetues.

“Gjykata Kushtetuese nuk mundet dhe nuk duhet ta nënvlerësojë hapin e bërë nga Gjykata e Anulimit në këtë çështje”- tha Erdogani.

Shoqata e Avokatëve të Turqisë dhe partia kryesore opozitare, CHP, të premten filluan një protestë në Ankara, duke e dënuar atë që e quajtën “puç në tentativë” nga gjykata e apelit.

Ekspertët dhe analistët ligjorë thanë se një krizë e tillë mes dy gjykatave më të rëndësishme është e pashembullt.

“Kundërpërgjigjja e Gjykatës së Anulimit (...) është sulm i hapur dhe luftues kundër Gjykatës Kushtetuese”- tha Bertil Oder, profesoreshë e së drejtës kushtetuese në Universitetin Koc.

“Kriminalizimi i tillë i gjykatësve kushtetues i tremb jo vetëm gjykatësit përkatës, por gjithashtu e çon më tej degradimin e sundimit të ligjit në Turqi”- shtoi ajo.

Lajme të ngjashme