Beteja në Ukrainën Lindore pritet të jetë e përgjakshme dhe vendimtare
Njerëzit në Ukrainën lindore e dinë se rusët do të shtojnë ofensivën e tyre. Duket sikur edhe qentë në rrugë e dinë, ata mund të dëgjohen duke ulëritur sa herë që ka ndonjë goditje të fortë në distancë. E ndërsa, drejt lindjes janë vërejtur kolona të mëdha të automjeteve ruse, qindra mijëra njerëz kanë ikur nga vendi duke u nisur për në sigurinë relative të Ukrainës perëndimore.
BBC shkruan se në Donbas, është parë që edhe Ukraina ka sjellë më shumë pajisje ushtarake, përfshirë automjete të blinduara dhe sistemete të mbrojtjes ajrore më rreze të gjatë. Megjithatë, forcat e sjellura nuk janë në vëllim të përforcimeve që po vijnë nga Rusia.
Shumë besojnë se kjo fazë e luftës në lindje mund të vendosë rezultatin e këtij konfliktit dhe shumë të tjerë janë në pritje të një beteje të përgjakshme.
Me kërkesën e BBC-së, ushtria ukrainase ka treguar linjat e artilerisë që veçse janë duke granatuar pozicionet ruse. Pritet që pjesa më e madhe e luftës të zhvillohet në terren të hapur, por trupat ukrainase mund të përfitojnë për mbrojtje nga vendet tashmë të gërmuara.
Në Donbas po ashtu u pa një automjet i pajisur me radar, raketa si dhe armë kundërajrore - për të cilat nuk u lejua filmimi.
Nga pajisjet e përgatitura, më shumë kishte mbrojtje ajrore, duke përfshirë raketa anti-ajrore Stinger me rreze të shkurtër të furnizuara nga Perëndimi. Raketat ishin në gjendje të gatshme për të qëlluar nëse ndonjë dron apo avion rus do të synojë pozicionet e tyre.

E ndërsa Rusia mund të ketë një avantazh në ajër, armët e tilla në posedim të Ukrainës kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në këtë luftë, pasi që Rusia ende nuk e ka kontrollin e qiejve.
Deri më tani, edhe artileria e Ukrainës është treguar efektive. Në Donbas nuk kishte linja të gjata artilerie, përkundrazi kishte njësi të vogla gati për të lëvizur në çdo moment. Forcat ruse mund të kenë një ushtri më të madhe por forcat e Ukrainës mbështeten në mbrojtje dhe lëvizshmëri të përgatitur mirë.
Rusia do të luftojë për të bërë përparime të rëndësishme ndërsa Ukraina vazhdon të ketë mbrojtje ajrore dhe artileri efektive. Deri më tani, të dyja palët, kanë pasur nivele të ngjashme forcash në rajon - rreth 30-40,000 trupa.
Por, kohët e fundit zyrtarët perëndimorë kanë thënë se Rusia po synon të dyfishojë apo edhe trefishojë fuqinë e saj në rajon. Megjithëse ata shtojnë se kjo mund të marrë kohë të konsiderueshme ndërsa Rusia rikonstituon njësitë e saj. Ndërsa, disa vlerësime të luftës sugjerojnë se Rusia ka humbur 20% të fuqisë së saj që nga fillimi i pushtimit.
Ukraina ka gjithashtu disa nga trupat e saj më të forta në rajon. Ata janë trupa që kanë luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia në Donbas, për tetë vitet e fundit. Ata kanë gërmuar, kanë përdorur llogore të fortifikuara dhe pozicione mbrojtëse. Edhe pse sipas BBC-së-, disa nga trupat mund të duken të lodhur, morali i tyre është i lartë.
Në anën tjetër, aleatët perëndimorë po i japin Ukrainës informacione për çdo lëvizje ushtarake të Rusisë në kohë reale.
Pas ofensivës së saj të dështuar rreth Kievit, Rusia ka ende një avantazh numerik, pasi që dhjetëra mijëra trupa të tjera po ridislokohen. Ajo tani po lufton në më pak fronte dhe linjat e saj nuk do të jenë shumë të gjata.

Një problem tjetër me të cilin po përballet Ukraina, është edhe armiku brenda vendit. Në qytetin e Kramatorsk ndodhet një patrullë policie ukrainase që është në kërkim të diversantëve rusë, pasi që në këtë qytet, ka më shumë ndjenja pro-ruse sesa në pjesë të tjera të Ukrainës. Policia ndalonte dhe kontrollonte kalimtarët, nën shqetësimin se mund te ketë nga ta që transmetojnë informacione dhe fotografi të pozicioneve mbrojtëse të Ukrainës.
Shefi i policisë lokale, kolonel Aleksandër Malish, tha se ka njerëz që arrestohen dhe u dorëzohen shërbimeve të inteligjencës shumicën e ditëve.
"Unë nuk e kuptoj se çfarë kanë në kokën e tyre... ndoshta është propagandë ruse? Unë mendoj se pas luftës populli i Ukrainës do të duhet të mendojë se çfarë të bëjë me njerëzit që kanë ndihmuar vendin e pushtuesit ”. Kolonel Malish tha se edhe kjo ishte pjesë e luftës hibride të Rusisë.
Disa qytete në Ukrainën lindore janë shënjestruar nga sulmet ajrore, artileria dhe raketat ruse. Në një varrezë në Kramatorsk - ku më shumë se 50 njerëz u vranë në një sulm rus në një stacion hekurudhor javën e kaluar, tashmë ka nisur gërmimi i varrezave të freskëta.

Një nga të vrarët ishte edhe ushtari Alexander Tislenko, 34 vjeçar i cili u vra në vijën e frontit duke luftuar për forcat speciale të Ukrainës. Nëna e tij Tatiana, foli për BBC-në duke thëne se ajo e dinte që djali i saj ishte në një pozicion të shënjestruar nga raketat ruse.
Tatiana me lot në sy mbante një fotografi të Aleksandrit mbi arkivolin e tij.
Tatiana tha: "Djali ynë ia ka kushtuar jetën atdheut të tij Ukrainës. Jam shumë krenare për të, por është një humbje kaq e madhe. Është një humbje që nuk mund ta harroj gjatë gjithë jetës sime. E mallkoj Putinin”.
E gjatë javëve të ardhshme në Ukrainën lindore do të ketë shumë më tepër nëna të pikëlluara si të Ukrainës ashtu edhe të Rusisë, pasi që kjo fazë e luftës do të jetë e vështirë dhe priten humbje të konsiderueshme për të dyja palët.