Besohej se ishte mbytur nga ariu, por policia në Japoni zbulon se babai u vra nga i biri - NACIONALE

Besohej se ishte mbytur nga ariu, por policia në Japoni zbulon se babai u vra nga i biri

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Policia në Japoni ka thënë se një burrë i moshuar, për të cilin besohej se ishte mbytur nga një ari, në të vërtetë është therur për vdekje nga biri i tij.

Fujiyuki Shindo, 51 vjeç, u arrestua të martën në prefekturën veriore Akita nën dyshimin për vrasjen e babait të tij 93-vjeçar, Fujiyoshi, raportojnë mediat lokale, transmeton televizioni BBC.

Policia kishte dërguar përmes postës elektronike një paralajmërim për sulme nga ariu, pasi bashkëshortja e viktimës e kishte gjetur atë pa ndjenja dhe me gjakderdhje në dysheme. Megjithatë, konkluzioni u tërhoq, pasi hetuesit arritën në përfundimin se plagët ishin më së shumti të ngjashme me lëndimet nga thika.

Rastet kur shihen arinj janë gjithnjë më të shpeshta në pjesën veriore të Japonisë, ku popullsia që po plaket dhe tkurrja e tokave të punuara kanë ndikuar që këto kafshë ta zgjerojnë habitatin e tyre më afër njerëzve.

Shindo, i cili jetonte me prindërit, fillimisht i kishte thënë policisë se nuk kishte vërejtur asgjë të pazakontë në shtëpi gjatë kohës së sulmit, raporton agjencia e lajmeve “Kyodo News”.

Hetuesit sekuestruan disa thika nga shtëpia e familjes dhe po mundohen që ta identifikojnë armën me të cilën është kryer vrasja, raportoi “Jiji Press”. Ata nuk kanë përmendur ndonjë motiv për vrasjen e të moshuarit.

Fillimisht ishte supozuar se arinjtë e kishin fajin për vdekjen e plakut, sepse në Japoni është regjistruar numër në rritje i sulmeve nga këto kafshë viteve të fundit. Për 12 muaj, deri në marsin e vitit të kaluar, një numër rekord prej 219 personash ishin sulmuar nga arinjtë dhe gjashtë prej tyre kanë vdekur, sipas Ministrisë së Mjedisit.

Në korrik, një shpërndarës gazetash u mbyt nga një ari i murrmë në një zonë banimi. Shtimi i rasteve kur shihen arinj i ka nxitur autoritetet që t’i lehtësojnë ligjet e gjahut që njerëzve t’u lehtësohet sulmi me armë në drejtim të tyre.

Mijëra arinj rishtazi janë kapur në kurthe dhe janë vrarë nga gjuetarët./Nacionale

Lajme të ngjashme