Belgjika e nis sot gjyqin më të madh, gjykohen të akuzuarit për sulmet e Brukselit më 2016
Belgjika po e fillon të mërkurën gjyqin më të madh ndonjëherë për të përcaktuar nëse dhjetë burrat e akuzuar për shpërthimet e vitit 2016 në aeroportin dhe metronë e Brukselit janë fajtorë për vrasjen e 32 njerëzve e plagosjen e më shumë se 300 të tjerëve.
Në mesin e dhjetë të akuzuarve janë gjashtë burra që tashmë janë shpallur fajtorë në Francë për sulmet e vitit 2015 në Paris. Gjykimi i Francës u përmbyll në qershor të këtij viti, raporton agjencia “Reuters”, përcjell Nacionale.
Udhëheqësja e trupit gjykues, Laurence Massart, do ta mbikëqyrë përzgjedhjen e panelit prej 12 anëtarësh për këtë rast, të zgjedhur nga një mijë qytetarë belgë të ftuar për të marrë pjesë në një proces të gjerë të përzgjedhjes të mërkurën.
Procedurat gjykuese do të fillojnë të hënën në ish-selinë qendrore të NATO-s në periferi të Brukselit. Gjykimi pritet të përfundojë në qershorin e vitit të ardhshëm dhe pa dyshim se do të ngjallë kujtime të dhimbshme për rreth një mijë personat që janë paraqitur për ta përcjellë këtë rast. Në këtë grup përfshihen njerëzit që i kanë humbur të dashurit e tyre, që janë lënduar ose që kanë qenë dëshmitarë të shpërthimeve.
Të afërm të viktimave dhe personat që janë lënduar pritet t’i adresohen gjykatës, bashkë me rreth 370 ekspertë e dëshmitarë, që pritet t’i japin dëshmitë e tyre.
Në mesin e të pandehurve janë Mohamed Abrini, për të cilin prokurorët thonë se kishte shkuar në Aeroportin e Brukselit në marsin e vitit 2016 me dy sulmues vetëvrasës, por se kishte ikur pa e aktivizuar valixhen e tij me lëndë shpërthyese, dhe Osama Krayem-i, shtetas suedez i akuzuar se kishte planifikuar të ishte sulmues i dytë në metronë e Brukselit.
Salah Abdeslam-i, i dyshuari kryesor në gjykimin e Francës, gjithashtu është në mesin e të akuzuarve, bashkë me disa të tjerë për të cilët prokurorët thonë se kanë strehuar ose u kanë dhënë ndihmë sulmuesve të caktuar. Njëri nga dhjetë të akuzuarit, për të cilin besohet se është vrarë në Siri, do të gjykohet në mungesë.
Ky proces gjyqësor, bashkë me koston për përshtatjen e sallës, pritet të kushtojë 20 deri në 25 milionë euro dhe ishte planifikuar të fillonte në tetor, por ishte shtyrë, pasi gjykatësja kishte dhënë urdhër për ndryshimin e kutive të xhamit për të pandehurit, të cilat avokatët e tyre i kishin krahasuar me kafaze për kafshë.