Belgjika arreston shtatë persona, dyshohen për përgatitje të një “sulmi terrorist”
Policia belge ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për mbështetje të Shtetit Islamik (IS) dhe komplot për një “sulm terrorist”.
Prokuroria ka thënë se pothuajse të gjithë të dyshuarit janë çeçenë etnikë dhe tre nga ta kanë kombësi belge.
Sipas The Guardian në një deklaratë të dhënë ata kanë thënë se: “Objektivi i saktë i sulmit të planifikuar ende nuk është përcaktuar”.
Tutje bëhet e ditur se policia ka bastisur nëntë adresa në disa qytete të Belgjikës perëndimore në një operacion të udhëhequr nga një gjykatës hetues i specializur në rastet e terrorizmit.
“Akuzat e mundshme janë tentativë për atentat terrorist, pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist dhe përgatitje të një sulmi terrorist,”- ka thënë gjykatësi.
Ndërkohë, prokurorët kanë shtuar se të shtatë personat e arrestuar “dyshohen për përgatitje të një sulmi terrorist në Belgjikë”.
Kujtojmë se Belgjika është përballur edhe më herët me sulme terroriste, ku në vitin 2016 pas disa sulmeve vetëvrasëse që lanë 32 viktima dhe qindra të plagosur, përgjegjësinë e morë Shteti Islamik.
Rikujtojmë edhe se Çeçenia, vendi nga janë të arrestuarit, është një republikë në rajonin e Kaukazit të Veriut të Rusisë, ka një popullsi kryesisht myslimane dhe drejtohet nga lideri pro-Kremlinit Ramzan Kadyrov, i cili mbështet Vladimir Putinin dhe luftën në Ukrainë.
