BE thirrje qytetarëve: Punoni nga shtëpia për ta mundur Putinin
BE-ja po u kërkon qytetarëve të saj që të ngasin më pak makinën, të reduktojnë ajrin e kondicionuar dhe të punojnë nga shtëpia tre ditë në javë, për të reduktuar varësinë nga energjia ruse.
Masat e hartuara me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, do të kursenin 450 euro në vit për një familje tipike.
Blerja e energjisë nga Rusia ndihmon në mbështetjen e ekonomisë së saj dhe financimin e luftës në Ukrainë. Por Evropa ka thënë se nuk mund të gjejë furnizime alternative, ndaj po u kërkon qytetarëve të rregullojnë stilin e tyre të jetesës.
BBC shkruan se plani me nëntë pika, i titulluar "Të luaj rolin tim", u kërkon qytetarëve të ngasin më pak makinën, duke përdorur transportin publik ose duke punuar nga shtëpia tre ditë në javë.
Thirrjet e tjera të BE-së për qytetarët janë:
Ngrohni më pak shtëpitë në dimër dhe ulni kondicionerin në verë.
Vozitni më ngadalë në autostrada, me kondicionerin e makinës të fikur, gjë që përdor më pak karburant
Përdorni trenin në vend të fluturimit
Udhëtoni me transport publik, në këmbë ose me biçikletë
Gjithashtu bëhet thirrje për promovim të së dielave pa makina.

“Përballë skenave të tmerrshme të vuajtjeve njerëzore që kemi parë pas pushtimit rus të Ukrainës, njerëzit në Evropë duan të ndërmarrin veprime”, tha Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i IEA, duke shtuar se "ky udhëzues ka hapa të lehtë për t'u ndjekur, të cilët me pak ose aspak shqetësim nga ana jonë mund të zvogëlojnë fluksin e parave për ushtrinë ruse dhe të na ndihmojnë të vendosim një rrugë drejt një planeti më të pastër dhe më të qëndrueshëm."
IEA llogarit se nëse çdo qytetar do të ndiqte rekomandimet e saj, mund të kursente 220 milionë fuçi naftë çdo vit, të mjaftueshme për të mbushur 120 supertankera. Do të kursente gjithashtu 17 miliardë metra kub gaz, të mjaftueshëm për të ngrohur afro 20 milionë shtëpi.
Në mars, BE njoftoi një plan për ta bërë bllokun të pavarur nga importet ruse të energjisë deri në vitin 2030. Por ministri gjerman i energjisë Christian Lindner i tha BBC-së të mërkurën se do të ishte e pamundur të ndalohej menjëherë importi i naftës.
Raporti rekomandon gjithashtu që qytetarët të konsiderojnë investimin në izolimin e shtëpisë, termostatet inteligjente dixhitale dhe makinat dixhitale, të cilat të gjitha mund të ndihmojnë në reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile.
"Të gjitha këto masa, mund të jenë kontribute vullnetare, por ka nevojë për veprim politik për t'i mbështetur ato," tha Leonore Gewessler, ministre e mjedisit të Austrisë.
Ndërkohë, Britania e Madhe njoftoi se po shtrëngonte sanksionet ndaj mallrave joenergjetike të eksportuara nga Rusia, duke përfshirë ndalimin e havjarit, argjendit dhe produkteve të drurit.
Departamenti për Tregtinë Ndërkombëtare tha se po rritë gjithashtu taksat për disa eksporte të tjera nga Rusia dhe Bjellorusia, duke mbuluar mallra me një vlerë totale prej 130 milion funte.
Produktet që përballen me detyrime më të larta të importit përfshijnë edhe diamante, gomë, produkte farmaceutike, mish, kafe, duhan dhe produkte të tjera.
Sekretarja e Tregtisë Ndërkombëtare, Anne-Marie Trevelyan, tha se Mbretëria e Bashkuar po shfrytëzonte çdo mundësi "për të izoluar ekonominë ruse".