BE-ja synon që të premten të pajtohet për ngrirje afatgjatë të aseteve të Bankës Qendrore të Rusisë
Qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian duan që të premten të pajtohen për t’ia ngrirë Bankës Qendrore të Rusisë asetet që i ndodhen të bllokuara në Evropë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke e zëvendësuar nevojën për votim për përtërirjen e ngrirjes për çdo gjashtë muaj, thanë diplomatët e BE-së.
Kjo lëvizje është baza e planit të Bashkimit Evropian për t’i shfrytëzuar asetet sovrane ruse në BE për një hua që do t’i jepej Ukrainës për financim më 2026 e 2027, duke ia mundësuar vazhdimin e mbrojtjes së vetes kundër pushtimit rus, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Komisioni Evropian ka propozuar që të përdoret një dispozitë e traktatit të BE-së, Neni 122, për t’i mbajtur asetet ruse të ngrira pa afat të caktuar.
Kjo dispozitë u ofron qeverive të shteteve anëtare të BE-së veprim të lirë për të miratuar çfarëdo masash që i shohin të nevojshme, me shumicë votash, për të adresuar një situatë të vështirë ekonomike në BE.
Një diplomat evropian tha se plani është që ambasadorët e vendeve anëtare të pajtohen për nisjen e një procedure me shkrim për miratimin e përdorimit të Nenit 122 të traktatit të BE-së “deri nesër”.
Komisioni Evropian tha javën e kaluar se përdorimi i këtij opsioni ligjor është i justifikuar në rastin e huasë për Ukrainën për ta ruajtur stabilitetin e ekonomisë së prekur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe lufta hibride e Moskës kundër shteteve të BE-së.
Një marrëveshje për ngrirjen e aseteve ruse me afat të pacaktuar do të eliminonte një rrezik kyç ndaj planit për shfrytëzimin e tyre për financimin e Ukrainës, sepse Hungaria dhe Sllovakia, që kanë raporte më të mira me Moskën, nuk do ta kishin më fuqinë e vetos ndaj zgjatjes së afatit të ngrirjes së aseteve për çdo gjashtë muaj.