BE-ja synon që të përçojë porosi “shumë të fortë” me pakon e re të ndihmave për Ukrainën
Komisioneri evropian për mbrojtje, Andrius Kubilius, kur u pyet për planet e Bashkimit Evropian për ta mbështetur Ukrainën, tha se pozicioni i BE-së është “shumë i qartë”, pasi blloku është i përkushtuar për “paqe përmes forcës”.
Ai paralajmëroi se BE-ja do të çojë përpara një pako të re të ndihmave për Ukrainën të hënën, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ne jemi duke i diskutuar... të gjitha mundësitë që do të na lejonin ne, në një mënyrë shumë urgjente, t’u dërgonim një porosi shumë të fortë ukrainasve dhe botës se ne do të qëndrojmë bashkë me Ukrainën” – tha Kubiliusi.
“Unë shpresoj se një rast i mirë i një porosie të tillë do të jetë... përvjetori i tretë i luftës, që është të hënën e ardhshme” – shtoi komisioneri evropian.
Ai pranoi se ka “thashetheme” rreth shifrave, por refuzoi që të spekulonte.